Presidentja Vjosa Osmani tha se është Serbia që ua ka ndaluar serbëve të Kosovës të drejtën për të votuar. Në një konferencë për media, Osmani tha se Serbia ka bërë propagandë gjatë kësaj kohe për ta paraqitur Kosovën si atë që e kanë shkelur të drejtën e serbëve për të votuar.
“Në fakt ka qenë Serbia e cila e ka parandaluar të drejtën e serbëve për të votuar”, tha ajo, duke thënë se Kosova i ka paraqitur tri opsione për mënyrën e votimit.
E pyetur për t’i komentuar zgjedhjet në Serbi, Osmani tha se “nuk ka një ndryshim politik në kontekst të mentalitetit politik që e udhëheq Serbinë”.
“Pavarësisht a flasim për të djathtën, apo të majtën, apo për qendrën, për fat të keq vazhdon një mentalitet i viteve ’90, ku Serbia vazhdon t’i shoh shtetet e tjera në rajon në veçanti Republikën e Kosovës, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën si shtete të përkohshme”, tha Osmani.