Partia Socialiste do të shkarkojë kryetarët në 61 degët e saj në vend dhe do të bëjë rizgjedhjen e tyre sipas rregullave të reja. Ndryshimet pritet që PS t’i miratojë në Kongresin që do të mbahet më 9 prill.
Kërkesa për ndërprerjen e mandatit të kryetarëve të degëve arsyetohet nga PS për t’i hapur rrugë implementimit të ndryshimeve në organizimin e strukturës së drejtimit në nivel bashkie.
Procesi i zgjedhjes së strukturave drejtuese do të zhvillohet në periudhën 1 Maj – 15 Qershor 2022. Gjithashtu degëve të PS do i shtohet edhe posti i Sekretarit Ekzekutiv.
Me propozim të Kryesisë së Partisë dhe të Asamblesë Kombëtare,
Kongresi i Partisë;
V E N D O S I:
- Të ndërpresë mandatin 4 vjeçar të kryetarëve aktualë të partisë të bashkive;
- Zgjedhja e drejtuesve të rinj të partisë në bashki të bëhet në përputhje me kërkesat e neneve 26 dhe 27 të Statutit dhe të Librit të Rregullave të Partisë;
- Brenda datës 30.04.2022, Asambleja Kombëtare e Partisë të miratojë rregullat, procedurat, kriteret për organizimin e procesit të zgjedhjes për strukturat vendore të partisë si pjesë e Librit të Rregullave me ndryshimet e reja në Statut;
- Procesi i zgjedhjes së strukturave drejtuese të partisë në çdo bashki do të zhvillohet në periudhën 1 Maj – 15 Qershor 2022;
- Kryetarët aktualë të partisë së bashkive do ushtrojnë detyrat e tyre deri në zgjedhjen e kryetarëve të rinj;
- Ngarkohet Kryesia e Partisë dhe Sekretariati ekzekutiv për zbatimin e këtij vendimi.