Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i tha CNN se Ukraina nuk do të heqë dorë nga territori në pjesën lindore të vendit për t’i dhënë fund luftës me Rusinë. Ai theksoi se ushtria e Ukrainës është e përgatitur të luftojë ushtrinë e Moskës në rajonin e Donbasit në një betejë që siç thotë ai mund të ndikojë në rrjedhën e gjithë luftës.

Zelensky u shpreh në një intervistë ekskluzive të premten me Jake Tapper të CNN nga zyra e presidentit në Kiev se vendi i tij nuk ka asnjë garanci se Rusia nuk do të përpiqet përsëri të pushtojë Kievin nëse pushton Donbasin, përcjell abcnews.al.

“Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme për ne që të mos i lejojmë ata, të qëndrojnë në këmbë, sepse kjo betejë…mund të ndikojë në rrjedhën e të gjithë luftës,” tha Zelensky.

Presidenti ukrainas tha gjithashtu se nuk i besonte botës, ndërsa politikanët shprehen “kurrë më”. “Unë nuk i besoj botës. Pasi kemi parë se çfarë po ndodh në Ukrainë, dua të them se nuk e besoj këtë ndjenjë që ne duhet t’i besojmë, disa vendeve ose disa liderëve. Nuk u besojmë fjalëve. Pas përshkallëzimit të Rusisë, nuk u besojmë fqinjëve tanë”

Intervista e Zelensky me CNN, më shumë se shtatë javë pas sulmit të presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë, vjen ndërsa ushtria e Ukrainës ka pasur suksese duke i rezistuar ofensivës ruse që kanë ardhur si befasi për inteligjencën amerikane, ndërsa Kremlini kishte planifikuar një fitore vendimtare.

Në të njëjtën kohë, Ukraina ka pësuar viktima të tmerrshme civile në të gjithë vendin mes luftimeve. Zelensky i tha CNN se bota duhet të përgatitet për mundësinë që Putin të përdorë një armë bërthamore taktike.