Nderkohe qe zhvillohej mbledhja e Grupit Parlamentar te PS per te diskutuar per presidentin e ri, Ilir Metën, Rama e cilëson si presidentin më skandaloz në historinë e Shqipërisë.

“Ajo çka e bën këtë moment shumë përcaktues për karakterin dhe profilin e PS është se nuk mjafton thjeshtë të zgjedhim një person që do të ishte më i përshtatshëm për atë rol sesa Ilir Meta. Por, është që të zgjedhim një figurë që të ketë integritet, që të garantojë respekt të ndërsjellë, që të sigurojë një nivel profesionalizmi në adresimin e të gjithë gamës së çështjeve që lidhen me presidentin sikundër edhe të përçojë një frymë.

Këtu sfida vështirësohet dhe këtu përzgjedhja është shumë më e ngushtë sesa çdo të ishte në një sy të parë përzgjedhja e një pasuesi të presidentit më skandaloz që ka njohur historia e atij institucioni dhe më të papërsëritshëm në llojin e vet që Shqipëria ka pasur rastin ta këtë mbi krye. Zgjedhja e Ilir Metës ishte me detyrim përcaktim për ne që nuk i kishim votat për të zgjedhur presidentin dhe gjendeshim në një kontekst politik të jashtëzakonshëm, mungonte opozita zyrtare dhe nga ana tjetër vullneti dhe dëshira jonë ishte që zgjedhja jonë të binte mbi dikë që do të mund ta përfaqësonte edhe opozitën. Në ato kushte ne zgjodhëm një president për opozitën, duke menduar se do të ishte edhe për Shqipërinë. Rrjedha e ngjarjeve tregoi të kundërtën dhe i dha vendin një president që ishte shëmbëlltyra më e keqe e opozitës më të keqe që ky vend ka pasur qysh prej vitit 1991”, tha Rama.