Gati propozimet në mbledhjen e ardhshme të grupit. Me moton mësojmë nga gabimet tona, socialistët do të udhëhiqen në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.
“Procesi i vitit 2022 për zgjedhjen e Presidentit të Republikës do të bëjë diferencë”. Ajo që dinë deri tani është që nuk duan një president si Ilir Meta, por po ashtu që do të negociojnë vetëm brenda institucionit të parlamentit dhe për këtë Taulant Balla citon përcaktimin kushtetues.
“Është një proces ekskluziv brenda parlamentit të Shqipërisë”. Sali Berisha ka deklaruar se nuk do të ketë asnjë përpjekje nga selia blu për të negociuar me socialistët për emrin e ri të kreut të shtetit dhe arsyeja mbi të gjitha për të lidhet me mosbesimin që kanë tek kundërshtari.
“Konsensusi me Edi Ramën është të puthesh me Judën”, tha disa ditë më parë në Shkodër Berisha.
“Kur djalli mundohet të lexojë biblën në gjuhën e vet ky është problemi i djallit nuk është problemi i biblës”, u përgjigj Balla. Por dhe socialistët nuk e kanë aspak në plan që të nisin një dialog me grupin e Themelimit, sepse njohin vetëm drejtuesit e kësaj force që janë pjesë e Konferencës së Kryetarëve.
“Nuk gjej asnjë pikë të rregullores së Kuvendit, pikëtakimi me Sali Berishën. Kuvendi i Shqipërisë ka 3 grupe parlamentare opozitare”. Balla, Gjiknuri dhe Spiropali u mandatuan nga grupi i tyre parlamentar për të drejtuar negociatat për procesin e zgjedhjes së presidentit, ndërsa për Alibeajn, sipas Ballës s’ka nevojë për një mandat politik sa kohë është kryetar i Grupit Parlamentar.
“Sa kohë është kryetar i grupit parlamentar nuk ka nevojë të mandatohet aty”.
Asnjë negociatë apo komunikim informal nuk ka ndodhur deri më tani me palën tjetër dhe do të nisë vetëm pasi parlamenti të votojë për fillimin e procedurës që parashikon Kushtetuta. Ndërsa zarfet me propozimet e socialistëve për kreun e ri të shtetit do të dorëzohen në mbledhjen e ardhshme të Grupit Parlamentar, siç iu kërkua nga Kryeministri Rama.