Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, në një deklaratë për mediat është duke bërë publike rastet e dyshuara që janë regjistruar në zgjedhjet e 6 marsit. Këto shkelje janë kapur nga procesi i identifikimit dhe votimit elektronik që është aplikuar në disa zona zgjedhore.

Nënkomisionerja Lealba Pelinku ka bërë me dije se janë 47 raste të dyshuara të cilat janë bërë objekt hetimi nga KQZ dhe më pas organet e tjera, të cilat ndahen në tre kategori.

“Kategoria e parë ka të bëjë me atë ID mbajtës të cilët janë paraqitur në një qendër zgjedhore me kartën e tyre dhe më pas janë paraqitur në një qendër tjetër.

Kategoria e dytë lidhet me shenjën e gishtit. Rezulton se një shenjë gishti është lënë në dy qendra të ndryshme votimi. (50 qendra votimi)

Persona që kanë votuar më shumë se një herë”, tha Pelinku ndër të tjera. Ajo pohoi se në bazë të pritshmërive të KQZ dhe të publikut, procesi i votimit dhe numërimit elektronik e kishte përmbushur qëllimin për të cilin ishte implementuar.