18 degë të Partisë Demokratike votuan për të zgjedhur kryetarin e ri, në procesin e zgjedhjeve të thirrur nga Komisioni i Rithemelimit ditën e sotme.
Procesi i votimit u hapur në orën 8.00 dhe u mbyll në orën 18.00 në Cërrik, Gjirokastër, Vlorë, Sarandë, Përmet, Tepelenë, Pogradec, Kukës dhe disa degë në qarkun e Tiranës si Kamzë dhe Kavajë.
Pas numërimit të fletëve të votimit të demokratëve, në Paskuqan u shpall fitues Anton Pjetërnikaj, një prej emrave të cilët u shkarkuan nga Lulzim Basha, pasi u rreshtua si përkrahës i ish-kryeministrit Berisha, në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit.
Në kryeqytet, anëtarësia e degës 6 votoi Onelda Zefin si kryetare dege, në degën 10 grumbulloi më shumë vota Andi Beliu, në degën 11 fitues u shpall Shkëlqen Mustafa ndërsa në degën 16 rezultatin më të lartë të votave e shënoi Eduard Rexha.
Në Skrapar, 69 për qind të votave të demokratëve i siguroi Hajredin Bakiasi, ndërkohë që në Kuçovë mes dy kandidaturave për kryetar dege, demokratët votuan emrin e Myslim Haxhi me 57% të votave.
Në Elbasan garonin pesë emra për kryesimin e selisë së Partisë Demokratike, por shumicën e votave e siguroi Blendi Himci.