Autoritetet ukrainase thonë se kanë shkatërruar një përpjekje për të prishur infrastrukturën e tyre energjetike përmes një sulmi kibernetik. Ata thonë se hakerat fillimisht hynë brenda sistemeve në shkurt. Më pas ata u përpoqën të aktivizonin softuerin me qëllim të keq më 8 prill, gjë e cila mund të sillte ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike.

Ky lloj sulmi është kryer në Ukrainë edhe më parë që në vitin 2015. Megjithatë, autoritetet thonë se këtë herë sulmi u pengua.

Përgjegjësit thuhet se janë një grup hakerimi i njohur si Sandworm, i lidhur me inteligjencën ushtarake ruse dhe një seri operacionesh të mëparshme (gjithmonë të mohuara nga Moska). “Sandworm është një grabitqar, i aftë për operacione serioze, por ata nuk janë të pagabueshëm,” thotë John Hultquist nga kompania e sigurisë kibernetike Mandiant.

Ata mund të kenë kërkuar të kryejnë sulmin në mbështetje të operacioneve ushtarake në rajonin që ishte në shënjestër.
Ukraina ka qenë subjekt i një sërë sulmesh kibernetike në prag dhe që nga fillimi i pushtimit, por ka befasuar shumë vëzhgues duke u mbrojtur kundër tyre më mirë se sa pritej.