Fansat e repit në Shqipëri e dinë shumë mirë rivalitetin që ka ekzistuar mes Noizyt dhe Stresit ndër vite dhe fakti që sot flitet për një bashkëpunim mes tyre duket ende i pabesueshëm. Që kur ata rregulluan marrëdhëniet të gjithë ndjekësit kanë patur vetëm një pyetje: A do sjellin ndonjë këngë bashkë?
Më në fund Arkimed Lushaj ka dhënë përgjigjen e shumëpritur. Gjatë një interviste virtuale me ndjekësit në Instagram, Stresi është pyetur se nëse do të sjellin një bashkëpunim së bashku. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e një dueti mes tyre, por duket se ende nuk ka asnjë plan konkret.
“Çdo ditë këtë pyetje keni… E rëndësishme është që gëzojmë respekt për njëri-tjetrin dhe jemi bashkë. Për të tjerat vijnë vetë pa plane. Respekt për të gjithë fansat. Vetëm kështu të bashkuar, nuk ka asgjë që na thyen.“- ka shkruar reperi.
Rreth një vit më parë Stresi dhe Noizy ‘bënë paqe’ dhe shpejt arritën të bëheshin shokë të ngushtë, si në fillimet e tyre. Jo më larg se pak javë më parë, komentet mes tyre në Instagram bënë xhiron e rrjetit me Stresin që i kërkonte Noizyt një kostum nga koleksioni i ri dhe Noizyn që e konsideroi atë ‘familje’.
Ndonëse, vitet e fundit dy reperët ishin treguar “të butë” ndaj njëri-tjetrit nëpër intervista, askush nuk e priste që ata të bëheshin sërish miq e të linin pas çdo problem që ka ndodhur në të shkuarën. Nëpërmjet dy videove live në llogaritë e tyre në Instagram Noizy dhe Stresi informuan fansat në 2021 se kanë bërë më në fund paqe dhe kanë falur njëri-tjetrin!