Është prezantuar sot nga Kryeministri Rama nisma e Revolucionit Digjital për bankat e nivelit të dytë për të lehtësuar klientët dhe sipërmarrjen nga pengesat e vonesat e shërbimeve.

Kryeministri Rama tha se ka ardhur koha që bankat e nivelit të dytë t’i bashkohen Revolucionit Digjital, për të lehtësuar klientët dhe sipërmarrjen nga pengesat e vonesat e shërbimeve të epokës së vjetër, njësoj siç u bë me shërbimet publike me dokumente

“Siç duhet ta dini prej 1 Majit të gjitha shërbimet ofrohen online, plot 1225 shërbime për të cilat aplikohet dhe merret përgjigja online me nënshkrim apo me vulë elektronike. Mbeten vetëm 5% e shërbimeve për të cilat është e nevojshme prania e personit.
Teknologjia akoma nuk na ka dhënë ndonjë zgjidhej se si mund të martohemi online, p.sh., po do e ketë një zgjidhje dhe kjo besoj.

Kur vjen puna te bankat ne jemi të fundit në rajon, se në pjesën tjetër po se po. Të jemi realistë kjo është mospërputhje dramatike me aspektin tjetër të gjithë punës së sistemit bankar.

Radhët në dyert e bankave që në mëngjes me njerëz që i orienton një roje nuk janë të denja për shekullin ku jetojmë.

Ndërkohë jemi ku thërret qameti në shërbimet online të bankave. Çdo muaj në datën 14 shumë sipërmarrje shkojnë nëpër banka për të paguar TVSH. Prapë çdo datë 20 për të paguar sigurimet e punonjësve, një ritual që nuk besoj që ju vjen mirë dhe juve, ndërkohë që është konsum kohe energjie, nervash e imazhi në tërësi, i denjë për vite e vite të shkuara, jo më për kohën ku jetojmë e ambicien ku duam të jemi.

Qytetarët ankohen gjithmonë e më shumë për bankat, ashtu si sipërmarrësit,” tha Rama.

Të pranishëm janë dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genc Sejko dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.