Ministri i Politikës Agrare dhe Ushqimit të Ukrainës, Taras Vysotsky, ka bërë me dije se Rusia ka vjedhur 400,000 tonë drithë nga rajonet e pushtuara në Ukrainë, ndër to 100,000 tonë ishin marrë nga rajonet Zaporizhia, Kherson, Donetsk dhe Luhansk.

Ministri vuri në dukje se drithi i vjedhur ishte nga furnizimi i secilit rajon i lënë mënjanë për t’u përdorur përpara korrjes së ardhshme, që do të thotë se ekziston një kërcënim në rritje i urisë në vend në mes të pushtimit nga Rusia.

Komentet e Vysotsky erdhën pasi një video u shfaq nga Ukraina që supozohet se tregonte kamionë që transportonin grurë ukrainas jashtë vendit drejt Rusisë.

Pamjet, të filmuara nga brenda një makine që lëvizte përgjatë kamionëve, tregonin një kolonë kamionësh me simbolin e luftës pro-ruse ‘Z’ të pikturuar në pjesën e pasme.

Përveç vjedhjes së grurit, Rusia ka sulmuar kapanone drithërash dhe infrastrukturën bujqësore, si dhe ka vjedhur automjete bujqësore me vlerë miliona paund.

Kjo ka nxitur akuza kundër Moskës se po përpiqet të vërë në vështirësi rezistencën e Ukrainës duke orkestruar një zi buke.

Lyudmyla Denisova, përfaqësuesja e të drejtave të njeriut në Ukrainë, tha të hënën se trupat ruse po “përdornin qëllimisht masa” për të “shkaktuar Holodomorin në Ukrainë” – duke iu referuar urisë sovjetike në Ukrainë nga viti 1932 deri në 1933.

Holodomor, ose Uria e Madhe, vrau deri në 10 milionë ukrainas dhe njihet si gjenocid nga disa vende.