Shqipëria nga 1 qershori do jetë i pari vend në Ballkan pa qese plastike, duke u vendosur në hartën e vendeve lider për veprimet konkrete kundër plastikës.
Në kuadër të aktiviteteve senzibilizuese me shkollat si dhe në prag të hyrjes në fuqi të ligjit kundër përdorimit të qeseve plastike Administrata e Zonave të Mbrojtura Kukës zhvilloi sot një aktivitet pastrimi me nxënësit e shkollave Novosej dhe Shishtavec në zonën e Shishtavecit brenda parkut natyror Korab-Koritnik.
Gjithashtu në prag të sezonit turistik veror u vendos tabela orientuese e shtegut të ngjyrave një ndër destinacionet më turistike të Parkut Natyror Korab-Koritnik.
Qeveria e Shqipërisë ka vendosur që nga data 1 qershor 2022, prodhimi, importi dhe përdorimi i qeseve plastike mbajtëse si dhe e qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme të ndalohet me ligj. Në Kuvend është miratuar projektligji që parashikon edhe gjoba deri në 1,5 milionë lekë për importuesit, prodhuesit dhe tregtuesit e qeseve plastike.