Paraditen e sotme është parashikuar të mbahet mbledhja e kryesisë së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, e thirrur nga Enlekejd Alibeaj.

Të kontaktuar nga Top Channel, deputetët Ervin Salianji dhe Luçiano Boçi kanë konfirmuar se do e bojkotojnë sërish mbledhjen, pasi sipas tyre Alibeaj nuk ka kompetencën për të thirrur grupin.

“Mbledhja e kryesisë u kërkua për të gjetur një mënyrë konsensuale për të qenë të gjithë. Deklarata e së premtes dhe moskomunikimi me asnjë prej deputeteve i hedh tis pronësor grupit”, u shpreh Ervin Salianji.

Edhe deputeti Luçioano Boçi, konfirmoi mungesën e tij në mbledhje , duke e cilësuar Alibeajn si jashtë çdo kompetencë , pasi është i shkarkuar. Ai thotë se Alibeaj e përdor grupin për interesat e Ramës.

“Vazhdohet i njëjti avaz.Ndërkohë që ka paracaktuar mbledhjen e grupit parlamentar dhe rendin e ditës për në 14.00 për të diskutuar një propozim për procedurën e presidentit alla Rama, Alibeaj gjoja organizon një mbledhje te thirrur nga ai jashtë çdo kompetence të Kryesisë së vogël e cila nuk ka tagër vendimmarrës. Ketë e ka Kryesia e Grupit Parlamentar. Të dyja thirrjet janë pa vlerë. Zoti Alibeaj që nga data 30 prill nuk është kryetar grupi. Po tenton te përdorë grupin për interesat e Ramës. Grupi Parlamentar zbaton vendimet e Këshillit kombëtar dhe jo vendimet e kulisave të Rames. Procedura e propozuar nga Alibeaj gjoja me zarfa elektronike, i qartazi i jep të drejtë mazhorancës të zgjedhë kë të doje dhe më pas ta paraqesë atë si rezultat konsensusi. Në situatën që është Rama, kjo është një ndihmë e madhe për të, sikurse anasjelltas. E gjitha kjo është një nëpërkëmbje e interesave të demokrateve dhe të Partise Demokratike. Kjo maskaradë duhet të marrë fund”.