Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhuroi dhe dorëzoi dje një pjesë të paketës prej 1.2 milionë dollarësh të përbërë nga trajnime dhe pajisje nga Ndihma Kundër Terrorizmit e Shërbimit të Sigurisë Diplomatike për Policinë e Shtetit Shqiptar (ASP).

Në njoftimin për shtyp, Ambasada thekson se “këto pajisje do të ndihmojnë partnerët shqiptarë të zbatimit të ligjit në parandalimin e terrorizmit, krimit kibernetik dhe kërcënimeve të tjera”.

Zëvendës Ambasadori, Demian Smith mori pjesë në ceremoninë, gjatë së cilës Shefja e Sigurisë Rajonale të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Karen Riley dhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano shqyrtuan dhe nënshkruan memorandumet që listonin artikujt e dhuruar.

Drejtori Nano i dhuroi Nicholas Lavengood, Zëvendës Shefit të Sigurisë Rajonale të Ambasadës Amerikane në Tiranë, një çmim nga Policia e Shtetit Shqiptar për kontributin e tij të madh në rritjen e bashkëpunimit dypalësh.