Dënimi i tre klubeve të Kategorisë së Dytë për trukim të ndeshjeve është vendim i drejtë, por nuk mund të kalojë vetëm si një lajm sensacional. Problemi i paracaktimit të rezultatit të ndeshjeve nuk filloi javën e shkuar në Kategorinë e Dytë, por është një gangrenë me të cilën futbolli shqiptar bashkëjeton prej vitesh.

Vetëm se në të kaluarën FSHF nuk ka qenë kaq drastike siç ishte sot me tre klube që nuk kanë të drejtë vote direkt në asamble. Qëndrimi i federatës dhe i vetë Dukës vite më parë kundrejt këtij fenomeni ka qenë kontradiktor dhe shpesh herë qesharak. Në disa raste përcaktimi i rezultatit për qoka apo për bamirësi nuk quhej trukim, por “tolerim”.

Dhe kjo ishte për të vënë duart në kokë, sepse në thelb një apo të dyja skuadrat që kishin zbritur në fushë e kishin paracaktuar rezultatin, pak rëndësi ka nëse ishte për përfitime financiare, apo për t’i dhënë dikujt “Këpucën e Artë”. Thjesht ata ishin tallur me opinionin publik dhe me atë tifozë që kishin blerë biletën për të parë një ndeshje futbolli. Aq shumë dhe aq shpesh ndodhën trukimet sa që Shqipëria përfundoi me klubin më të dënuar në planet nga UEFA për manipulim ndeshjesh. Në fund u dënua Skënderbeu, por asnjë nga zyrtarët e federatës nuk dha dorëheqjen dhe asnjë proces hetimor nuk pati për zyrtarë të FSHF-së që rrinin e bënin sehir kur gjithë Shqipëria shikonte teatër me mbathje.

Prandaj sot edhe kur dënohen klube nga 5 vite, sado i merituar të jetë ndëshkimi, FSHF e ka të vështirë të fitojë besimin e opinionit publik se e ka seriozisht. Dëmi që është bërë ndër vite për shkak të këtij fenomeni është reflektuar direkt edhe në shkallët e stadiumeve, ku numri i tifozëve ka ardhur duke u zvogëluar.

Nëse duan që luftën kundër trukimeve ta marrin seriozisht, atëherë përveç FSHF-së, duhet të reagojnë me forcë për produktin klubet që u bëhet pis produkti; duhet që prokuroria të vihet në lëvizje dhe të hetohen maskaradat që detyrohen të shikojnë shqiptarët herë pas here; duhet që ministria e sporteve të mbajë qëndrim për një problem shkatërrimtar. Për sa kohë flamurin e kësaj beteje do ta mbajë vetëm FSHF-ja, atëherë ajo do ta tundë sipas interesave dhe përgjithësisht mbi më të dobëtit. Siç edhe bëri këtë herë. (Panorama Sport)