Këto janë ditë shumë të nxehta për Milanin, në disa fronte. Nëse në fushë skuadra e Piolit është shumë pranë fitimit të titullit të 11-të në histori, mbeten edhe 90 minutat e fundit të Serie A, me sfidën në distancë me Interin, në klubin kuqezi vazhdon puna për shitjen e aksioneve.
Fondi “Elliott” është i përqendruar në shitjen e klubit kuqezi, me negociatat e nisura javë më parë me “Investcorp”, një fond nga Bahreini, dhe “RedBird Capital”, një grup amerikan i kryesuar nga Gerry Cardinale.
Në orët e fundit ka pasur një kthesë të papritur në lidhje me shitjen e Milanit. Sipas “Reuters”, “Investcorp Group” ka vendosur të ndërpresë marrëveshjen me “Elliott”. Shkak është bërë një pengesë e pakapërcyeshme, e pazbuluar ende nga burimet pranë agjencisë prestigjioze të shtypit.
Me hapin mbrapa të “Investcorp”, Milani mund të përfundojë në duart e “RedBird Capital”, i cili tani ka hapur rrugën drejt mbylljes së marrëveshjes. “Tymi i bardhë” mund të vijë për një shifër afër 1.3 miliardë euro, me bonuse investimi prej prej 1.8 miliardë në vitet në vijim.
Nëse nga njëra anë “Investcorp” ka vendosur të pezullojë negociatat, nga ana tjetër “RedBird” mund t’i përshpejtojë ato në ditët në vijim dhe të gjejë marrëveshje totale me “Elliott”. Pra, Milani po i afrohet një ndryshimi të strukturës së korporatës.