Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka refuzuar një kërkesë të kreut të PR-së, Fatmir Mediu për të përfshirë të gjithë deputetët e Kuvendit në procesin e konsultimeve për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas Ballës, ashtu siç e përcakton edhe Rregullorja e Kuvendit, diskutimi do të bëhet vetëm mes grupeve parlamentare, çka lë të kuptohet se grupi i ish kryeministrit Berisha nuk do të jetë i pranishëm në Konferencën e Kryetarëve për të diskutuar mbi procesin.
“E rëndësishme është që i gjithë procesi nga dita e parë deri ditën e fundit të jetë sipas Kushtetutës. Tradita parlamentare është e konsoliduar për këtë proces. Për t’iu përgjigjur Mediu për një proces partiak dhe gjithëpërfshirës, procesi do të jetë vetëm në Kuvendin e Shqipërisë dhe vetëm me grupet parlamentare. Ky është kushti i vetëm që ka PS. Se ç’bëni ju në krahun tuaj të opozitës për të ardhur një treshe përfaqësuese, bini dakord ju, por i gjithë procesi do të zhvillohet në Kuvend. Rregullorja e kuvendit ka përcaktuar grupet parlamentare si të vetmet organizime të mirëfillta të Parlamentit. Opozita brenda vetes ka proceset e veta, edhe maxhoranca ka proceset e veta”, tha Balla.
Lidhur me kërkesën tjetër të opozitës për datën se kur duhet të nisë procesi i zgjedhjes së Presidentit, Balla u shpreh se “Ju siguroj gatishmërinë tonë që afatet të mos jenë afate të të palëvizshme por një gjë do të jetë e sigurtë, në asnjë rast nga eksperienca shumë vjeçare nuk do të tolerojmë që afate të caktuara të kthehen në debat interpretative dhe në fund dikush të shkojë të ankohet në Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuta thotë diferenca nga raundi në raund jo më vonë se shtatë ditë. Kjo është një mënyrë që e kemi traditë në Parlament që nuk e numërojmë datën e fundit se ajo pastaj ka debat”.