Kryetari i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, akuzoi sot në Kuvend se familja e Berishës ka një televizion në pronësi, Syri.net, tv i cili bën evazion fiskal. Balla ngriti pyetjen se pse nuk hetohet se ku i gjen financimet ky tv.

“Sot 30 vite nga vrasja e Falcones. Shqipëria ka shumë nevojë për Falcone. Unë shpresoj që t’i kemi sepse as Sali Berisha dhe as nuk do t’i dërdëlliste shqiptarëve për luftë korrupsionit. I fundit që mund të sulmojë kundërshtarët e vet për korrupsion është Sali Berisha. Nuk ka në këtë sallë të shpallur ‘non grata’ për korrupsion të nivelit të lartë dhe minim të demokracisë. Prandaj kur Sali Berisha të ngrejë akuzën për korrupsion ndaj kujtdo në politikë ju lutem injorojeni derisa ai të sqarojë akuzat e SHBA-vë që janë bërë tani. E gjithë Shqipëria e di që Sali Berisha është pronari ‘de facto’ i një televizioni, që e transmeton live Saliun edhe kur del në tualet. Pse nuk hetohet kjo? Kush e financon atë televizion? E patë çfarë pagash kishte në atë televizion. Drejtuesi i atij televizioni merr 500 mijë lekë të vjetra? Nuk ka shanse. Ndërkohë që ky vjen këtu edhe bërtet ‘vëllai jot, motra jote’. Ky që ka ‘non grata’ edhe familjen. Pastrimi i parave dhe Tatimet të shkojnë të hetojnë. Ajo dosja e ‘boronicave’ është shumë e thjeshtë. Ky është SPAK, ndërkohë që Kompleksi Partizani është skema më e qartë e pastrimit të parave. Kompania që ka ngritur Kompleksin Partizani financon televizionin që po flas”, tha Taulant Balla.