Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla nuk i kurseu ironitë në drejtim të opozitës, ndërsa theksoi se kjo e fundit duhet të marrë disa modele nga socialistët.

Nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se barazia gjinore është pjesë e ADN-së së PS-së.

“S’do e merrja fjalën gjithmonë kur kemi marrëveshje të tilla, kolegë të opozitës për fat të keq, nuk e fillojnë fjalën e tyre, që duhet të jetë nga të gjithë, me atë që është aspekti politik i një marrëveshje. Ne jemi të gjithë politikanë, të gjithë këtu dhe disa pretendojnë të bëhen. Nuk bëhesh politikan sa hyn në Kuvend, të duhen ça kohë. Kjo është një marrëveshje financiare e dyta brenda këtij viti, me Francën. Këto janë lokomotiva kryesore. Agjencia Franceze për zhvillim është certifikatë. Doni apo s’doni ju, kjo parti, PS, promovimin e barazisë gjinore, e ka AND të vetën. Duke qenë se jeni duke ndryshuar statutin, merrni ca modele nga ne. Pa një burrë dhe pa një grua nuk bëhet shtëpia.

E tillë është familja. Se ça punë ka sterilizimi me marrëveshjen me Francën?!”, tha Balla, ndërsa më tej shtoi: “Dua të ndalem edhe tek fjala e presidenti Macron, është një qasje mendoj e bukur pas atij agresioni të pajustifikuar të gjenocidit rus në Ukrainë, Na duhet një komunitet europian politik tha presidenti Macron përtej kufijve aktualë dhe ne do ta mbështesim. Mendoj që BE duhet të ndryshojë librat e veta të rregullave apo metodologjitë por Ballkani Perëndimor duhet që brenda vitin 2025 duhet të ketë marrë datën për anëtarësim dhe jo më për fillim negociatash siç thotë edhe kancelari gjerman. Gjithashtu sot gjej rastin të përshëndes aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KE. Agjenda e integrime euroatlantike e Kosovës e ka mbështetjen të fortë dhe të pakursyer. Sot na duhet ti themi Kosovës urime dhe jam i sigurt që brenda numrave po jo, mendoj që është koha e duhur që mos ta vonojmë dhe vendimi të kalojë shumë shpejt që Kosova të jetë anëtar i Këshillit të Europës dhe kjo ka shumë rëndësi për shtetin e Kosovës. Ju thashë që më 11 korrik do të kemi seancë të posaçme me një dokument që nuk vjen nga bota e përtejmë, dhe dua të theksoj se Shqipëria dënon çdolloj formë gjenocidi dhe jemi gjithmonë në krahun e duhur të historisë”, tha më tej Balla.