Gjykata e Posaçme i ka komunikuar masën e sigurisë “arrest në burg” Nuredin Dumanit në ambientet e spitalit.

Gazetari Ermal Vija bën me dije se masa i është dhënë në ambientet e spitalit për arsye sigurie. Sakaq, seanca për të arrestuarit e tjerë do të nisë në orën 11:00.

Dumani u arrestua disa javë më parë, pasi i shpëtoi një atentati në Elbasan. Ai u prangos në një banesë në Fier, ku strehohej, ndërkohë që ishte i plagosur. Nuredin Dumani ishte personazhi më i kërkuar i drejtësisë shqiptare në vitet e fundit dhe është autor i disa vrasjeve.

Pas arrestimit ai ra treguar gjithçka për prokurorët e SPAK, duke marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Rrëfimet e tij çuan në zbërthimin e tetë bandave të rrezikshme kriminale në vend. Prokuroria e Posaçme ka lëshuar 32 urdhër arreste, ndërsa pas hekurave janë 18 persona.

Nga këto 9 persona u kapën gjatë operacionit “Golden bullet”, ndërsa për 9 të tjerët, masat e sigurisë u ekzekutuan në disa IEVP, sepse janë arrestuar më parë, për vepra të ndryshme penale.