Një duzinë vendesh të BE-së, përfshirë Danimarkën, Suedinë, Finlandën dhe Bullgarinë kundërshtojnë nisjen e një procedure për të modifikuar traktatet evropiane, siç mbështetet nga Parlamenti Evropian. “Ne nuk jemi në favor të përpjekjeve të pamatura dhe të parakohshme për të nisur një procedurë të tillë”, shkruajnë këto vende në një shënim.
Sot, në Ditën e Evropës pritet një fjalim para parlamentit Evropian në Strasburg nga presidenti francez Emmanuel Macron, i cili duhet të mbështesë një Evropë më të fuqishme dhe më të gatshme për reforma, ndërkohë që lufta ruse në Ukrainë zbuloi varësinë e të 27-ve për sa i përket energjisë.
Në këtë ditë do të bëhet edhe prezantimi zyrtar i propozimeve që dalin nga Konferenca për të Ardhmen e Evropës, rezultat i ushtrimit të gjerë të konsultimit me qytetarët të kryer gjatë një viti dhe të lindur nga një ide e vetë presidentit francez. Disa propozime, të tilla si dhënia e të drejtës së iniciativës legjislative për Parlamentin, siç e kërkon ky i fundit, ose zgjerimi i kompetencave të BE-së në çështjet e mbrojtjes ose shëndetësisë, kërkojnë një ndryshim në traktatet e BE-së.
Dhjetë vendet që e kundërshtojnë këtë perspektivë tregojnë rrezikun e një “humbjeje energjie” dhe besojnë se një rishikim i traktateve “nuk ka qenë kurrë një qëllim i Konferencës’’. “Ne tashmë kemi një Evropë funksionale siç u tregua nga pandemia Covid-19 dhe përgjigjja ndaj pushtimit rus të Ukrainës dhe nuk duhet të nxitojmë në reforma institucionale”, paralajmërojnë 10 vendet.
Teksti u nënshkrua gjithashtu nga Republika Çeke, Sllovenia dhe tre vendet baltike (Estonia, Letonia dhe Lituania).