Gjatë një konference për shtyp Zëdhënësi i Komisionit Evropian Eric Mamer u shpreh se sanksionet janë tepër të rëndësishme dhe kanë arritur rezultate, por të vetme, ato nuk do munden dot t’i japin fund luftës.

“Të vetme sanksionet nuk do t’i japin fund konfliktit, por do të luajnë një rol shumë të rëndësishëm. Ato janë në përputhje me vendimet që BE-ja është në gjendje të marrë, ne jemi një organizatë me përgjegjësi të caktuara, para së gjithash në sferën ekonomike. Mendojmë se sanksionet kanë arritur shumë rezultate”, gjatë një konference për shtyp”, tha Mamer.

Sakaq, më shumë se 5.6 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus në fund të shkurtit.

Shifrat u bënë të ditura nga Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuar për Refugjatët.

Gjithashtu sipas raportit të fundit të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), të paktën 7.7 milionë njerëz të zhvendosur brenda vendit në Ukrainë janë të detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre.