Ish-kreu i SHISH Fatos Klosi ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend. Në një prononcim për gazetën “SOT” i pyetur lidhur dërgimin për inspektim të predhës që i mori jetën Aleks Nikës më 21 janar një laborator në Itali, ai e cilësoi si një lajm shumë të mirë sepse sipas tij, fakti që lidhur me atë vrasje kërkohen të dhëna të tjera është shumë pozitiv. Lidhur me faktin nëse Berisha duhet që të hetohet për 21 janarin, ai deklaroi se është shumë i sigurt që faji ishte i tij dhe nuk është i atyre që qëlluan ndaj protestuesve. Klosi deklaroi, se ata që qëlluan nuk do të guxonin kurrë ta bënin atë pa marr një urdhër nga Berisha.

Teksa foli lidhur me dërgimin në Kuvend të një rezolute për Srebrenicën, ai tha se ajo që bëri Berisha është qesharake. Sipas tij, Berisha ka kërkuar me ngulm që ta vinte në pozita të vështira kryeministrin Rama dhe bëri këtë rezolutën për Srebrenicën. Deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha se i ka dërguar një shkresë presidentit amerikan Joe Biden për ambasadoren Yuri Kim, ai i cilësoi si absurde.

-Prokuroria ka çuar për inspektim në një laborator në Itali predhën që vrau të ndjerin Aleks Nika më 21 janar, kjo e fundit është një nga vrasjet që ka mbetur pa autor, mendoni se pas kësaj do të zbardhet diçka lidhur me atë vrasje?

Po më duket një lajm i mirë sepse ata nuk janë mjaftuar me aq sa është bërë në atë kohë, ku në krye të qeverisë ishte Sali Berisha. Fakti që lidhur me atë vrasje kërkohen të dhëna të tjera për mua është shumë pozitive, pastaj se si do të dalin ato është problemi i të vërtetës, se kush është e vërteta, por unë një gjë kam të qartë se asnjë person nga Garda e Republikës nuk do të guxonte që të gjuante mbi turmën që ishte në Bulevard. Unë kam qenë dhe vet prezent aty dhe në pamjet filmike që janë marr asnjë protestues nuk ka qenë brenda oborrit të kryeministrisë, të gjithë kanë qenë në bulevard, njëri prej protestuesve ishte më afër hyrjes, por një tjetër është vrarë pas meje afërisht tek Kryesia e Kuvendit midis dy ndërtesave. Për mua ato janë vrasje të qëllimshme, sepse atëherë kishte mbaruar çdo gjë dhe u bë qartë që protesta ishte duke mbaruar. Më vjen mirë që predha ka shkuar për tu inspektuar në një laborator më të specializuar dhe e shoh si shumë pozitive.

-Ish-kryeministri Sali Berisha duket se në deklaratat që ai ka bërë në media nuk ka shfaqur pendesë për vrasjet e “21 janarit”. Mendoni se ai duhet që të hetohet lidhur me atë ngjarje duke qenë se ka qenë në krye të qeverisë?

Mendoj se do të ishte shumë e rëndë që ai të shfaqte pendesë dhe sipas meje, asnjë nuk duhet që ta pres pendesën e Berishës sepse Berisha nuk di që të pendohet dhe kjo është një karakteristikë e tij, por kryesorja është që aty janë vrarë 4 persona nuk mund që të ketë pendim, sepse do të ishte pranim i fajit dhe ai nuk do ta bëjë dhe për këtë, por unë jam shumë i sigurt që faji është i tij dhe nuk është i atyre që qëlluan ndaj protestuesve, ata nuk do të guxonin kurrë sepse e dinë rregulloren se si përdoret arma dhe ajo përdoret vetëm për vetëmbrojtje kur e sheh që ka rrezik, kur e sheh që kundërshtari ose personi që ke përballë mund të asgjësojë ty, vetëm atëherë mund të përdoret arma. Ai ka qenë një urdhër dhe këtë ardhur mund ta jepte vetëm Sali Berisha, sepse as Lulzim Basha nuk e jepte dot. Nuk guxonte Basha që të jepte urdhra të tillë, unë e di nëse kanë shënuar apo jo një njeri të veçantë, nuk e besoj këtë, sepse ato kanë qenë qitje të çfarëdoshme në turmë për të treguar Berisha qartë se ai ishte personi që e bënte zap këtë popull dhe se ai meritonte që të ishte kryeministër i vendit, e kanë pasur si opinion dikur partnerët tanë se: “Ne do jemi në Shqipëri me atë që arrin ta bëjë zap atë popull”, dhe Berisha këtë e dinte gjë. Në 21 janar ai shpresonte se njerëzit do të hynin në oborrin e kryeministrisë dhe atëherë do të ishte legjitime që të gjuhej, por kur e pa se protesta ishte duke mbaruar dhe se njerëzit ishin duke ikur atëherë donte që të tregonte se ai edhe vret dhe dha urdhër për të vrarë.

-Ish-kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar si një tragjedi e cila ndodhi nga pakujdesia. Si e komentoni?

Gërdeci mendoj se ka qenë një tragjedi, por jam i sigurt që asnjë nuk i vuri fitilin për ta ndezur, nga kjo pikëpamje ka qenë një tragjedi, por nuk mund të ishte tragjedi koncesioni që u dha për të demontuar predhat, kjo nuk ishte një tragjedi por ishte një vendim i cili është marr duke vënë firmat të gjithë ata të cilët duhet që të vënë firmat. Ajo tragjedi që ndodhi mund të ndodhte pas 5 minutash dhe jo atë ditë, por në mënyrën sesi ishte organizuar puna atje ishte një punë artizane sepse kishin njerëz të pakualifikuar që punonin atje. Ajo tragjedi ka qenë, por ideja për të krijuar dhe për të përfituar nga demontimi i armëve ka çuar në atë tragjedi. Tragjedia aty ishte në çdo sekondës, sepse të demontosh predha që kanë dinamit dhe barut nga njerëz të pakualifikuar praktikisht është si ti dënosh me vdekje dhe ashtu ndodhi. Problemi është që si është e mundur një qeveri serioze vendos që të demontojë municione me njerëz të pakualifikuar, pse vetëm për të fituar dhe kjo është përgjegjësia që duhet që të mbaj qeveria. Në kishim një industri që i prodhonte në Poliçan të Skraparit dhe mund të çmontoheshin fare mirë atje, por nëse do të çmontoheshin atje do të merrnin rrogat punëtorët dhe ata nuk do të fiton gjë ata që e organizuan këtë aktivitet në Gërdec. Për shkak të makutërisë së atyre që nuk i çuan këto demontimet në Poliçan ku kishte njerëzit të kualifikuar ku ishin dhe pajisjet sepse atje edhe prodhoheshin municionet.

-Sipas opinionit tuaj, mendoni se doja e “Gërdecit” dhe ajo e “21 janarit” janë dy dosje të cilat do të zbardhen?

Unë besoj dhe shpresoj që këto dy dosje të zbardhen, shpresoj në sistemin e ri të drejtësisë që ne kemi ndërtuar që është reforma më e madhe që ne kemi bërë deri më tani, që të ndërtojmë një sistem në drejtësi, i cili nuk varet nga politika dhe që nuk ka frikë që të dënoj politikanët dhe nuk trembet prej tyre. Me gjithë atë propagandë të madhe që i është bërë sistemit të ri të drejtësisë shoh këmbënguljen nga ana e ambasadores amerikane Yuri Kim që të kërkon të shoh rezultate nga ana e reformës në drejtësi dhe do të ishte një zhgënjim i madh nëse nuk do të ndodhte, sepse krime shumë të rënda që janë bërë nga njerëz të rëndësishëm ngelen pa u dënuar, ndërkohë që njerëz të thjesht vetën se janë kapur me një kilogramë kanabis dënohen dhe sot janë nëpër burgje.

-Ditët e fundit ka lindur një debat lidhur me masakrën e Srebrenicës, ku ishte Foltorja e ish-kryeministrit Sali Berisha që dërgoi në Kuvend një rezolutë për miratim dhe Partia Socialiste e rrëzoi me argumentin se ish-kryeministri Sali Berisha theu embargon e vendosur. Ju si e shikoni këtë vendim?

Ajo është qesharake për mua. Berisha duke parë këmbënguljen e kryeministrit Edi Rama që me të nuk do të diskutojë asnjë gjë, sepse si ka deklaruar Rama zëri i tij vjen nga bota tjetër, Berisha ka kërkuar me ngulm që ta vinte në pozita të vështira kryeministrin Rama dhe bëri këtë rezolutën për Srebrenicën. Ajo është një ngjarje që ka ndodhur në vitin 1994 dhe Shqipëria është prononcuar për atë ngjarje disa herë, në të gjitha institucionet ku është diskutuar problemi i luftës në ish-Jugosllavi, edhe në Kombet e Bashkuara edhe kudo edhe në forume më pak të rëndësishme, pra forumi në atë kohë kur Berisha ka qenë kryeministër opinioni i këtij vendi nuk ka qenë në favor të Jugosllavisë dhe kërkesa e një rezolute këto ditë ka qenë për ta vënë në vështirësi kryeministrin dhe ai vendosi që ajo nuk do të miratohet. Me këtë mendoj se mund të tregohet se nuk ishte problemi që do të miratohet ose jo një rezolutë e tillë sepse sipas qeverisë mund të thuhet se i kemi dënuar krimet e luftës, por u hodh poshtë sepse rezoluta u propozua me këtë qëllim të keq nga Berisha. Berisha nuk ka hallin e Jugosllavisë sepse ai theu embargon. Berisha e bëri për të vënë Ramën në vështirësi, sepse Rama padeklaruar se ai nuk do të miratojë asgjë nga ato që propozohen nga Berisha, ai nuk e konsideron fare Berishën dhe nuk e konsideron si një deputet në Parlament. Ato janë lojërat e Berishës sepse unë atë e njoh edhe personalisht dhe populli e njeh atë shumë mirë që këto i prodhon dhe pastaj ka argumente për të vazhduar edhe 2-3 javë të tjera duke thënë nuk e aprovuan, ata janë miqtë e Vuçiçit, etj. Mendoj se ajo nuk duhet marr seriozisht, sepse ishte një tentativë dashakeqëse dhe për mua më mirë që se miratuan, i treguan vendin Berishës.

-Fakti që ish-kryeministri Sali Berisha mbron Kosovën mendoni se e bënë për patriotizëm, apo për interesa të tij politikë?

Për të në Kosovë kanë pasur një opinion shumë të mirë dhe më vonë pastaj e kuptuan kush ishte ai. Me rrugën e Kombit që u bë, ai fitoi pikë në Kosovë megjithatë sot kosovarët kanë kuptuar qartë se kush është ai, por që s’di të them se cilat janë interesat e tij, nëse e mbron apo e bënë për interesa të tij politika. Sipas meje, çdo shqiptar nëse do t’i jepet rasti do e mbronte Kosovën.

-Ish-kryeministri Sali Berisha ka shtuar sulmet ditët e fundit ndaj ambasadoren amerikane Yuri Kim. Si i komentoni deklaratat e tij?

Ambasadorja Yuri Kim është ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nëpunëse e shtetit amerikan dhe natyrisht që përfaqëson Amerikën dhe thotë ato që i kanë thënë që duhet të thotë dhe kjo duhet që të jetë detyra e çdo ambasadori dhe mendoj se secili shtet në botë do të shikonte që ambasadori i tij nuk flet duke treguar opinionet e shtetit, por flet duke treguar opinion e tij nëse i ka ato të ndryshme nga shteti, do ta tërhiqte menjëherë, nuk mendoj se kjo ndodh, aq më tepër një shtet si Shtetet e Bashkuara të Amerikës që fjala e tyre në çdo shtet të botës merr një rëndësi të veçantë. Nuk tolerojnë gjëra të tilla dhe që të lejojnë një ambasador që të thotë gjëra për të cilat ata janë dakord, por Berishës i duhet që të mbrohet dhe është duke përdor të gjitha mundësitë për tu mbrojtur. Ai filloi me atë gjyqin e famshëm që do të bënte në Francë dhe për të cilin nuk po dëgjojmë asgjë, thjesht e bëri për të treguar se ai s’ka frikë, nuk ka bërë asgjë dhe se ai mund ta fitoj atë gjyq. Ka shumë njerëz që edhe sot i besojnë atij, që e kanë pasur drejtues në Partinë Demokratike dhe kanë pasur kryeministër dhe president të vendit dhe besojnë tek ai, pikërisht me ata ai e ka më shumë problemin. Fakti që ai u shpall “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një problem shumë i madh edhe për militant e tij dhe do që ti jap atyre mesazhin shikoni se është një lojë e Ramës e Sorosit dhe e Amerikës.

-Në fakt, Berisha deklaroi se i ka dërguar një shkresë presidentit amerikan Joe Biden për ambasadoren Yuri Kim? Si e shihni këtë?

Mendoj se është absurde dhe është njësoj si gjyqi që ai hapi në Francë për të dëshmuar se ai është aq i bindur që është i pafajshëm sa bëjë edhe gjëra të tilla. Mua më duken shumë pa kuptim, sepse ai problemin e ka me të tijët, ai do të zgjidhet me siguri edhe në krye të Partisë Demokratike dhe do të kërkojë që të konsiderohet nga të gjithë sikur nuk ka ndodhur asgjë, kjo mendoj se është ideja e tij e të gjitha tentativa dhe propaganda që është duke bërë kundër ambasadores amerikane këtë mesazh do të jap që është i pafajshëm, por unë jam i sigurt që nuk ka për t’i hequr. Populli e di si ka ardhur në pushtet, si u fry embargo, ca ndodhi me firmat piramidale dhe janë aq shumë ngjarje të cilat lidhen me kohën kur ai ka qenë në pushtet të cilat janë fatkeqësi në këtë vend.

-Të ndalemi pak tek deklaratat që kryeministri Edi Rama bëri pak ditë më parë, ku i kërkoi SPAK që të hetojë ish-kryeministrin Sali Berisha dhe të korruptuarit në drejtësi, si i komentoni?

E quaj të drejtë shqetësimin e kryeministrit, mbase u kuptua sikur ndërhyri në punët e drejtësisë, por për mua jo. Më pyesin mua njerëz, a do të dënohet Berisha, më shumë se gjyma e popullit shqiptar e ka deklaruar me votë se është kundra Berishës nuk është një opinion i Partisë Socialiste ose i njerëzve të majtë, sepse ka kaq vite që votohen socialistët dhe më shumë kjo bëhet që të votohet kundra Berisha. Mendoj se Rama duhet që të ishte treguar pak më i kujdesshëm sepse mund të keqinterpretohen, nuk duhet që të merret kryeministri me drejtësinë, por mesa duket i ka ardhur në majtë të hundës sepse u bë një reformë e tërë dhe duket se s’po lëvizet shumë dhe kryeministri mbase e shikon se për ca gjëra të mëdha s’po lëvizet asgjë. Ato që kanë ndodhur në kohën e Berishës janë shumë më të mëdha se tjerat, u mbarua rruga e Komit me 3-fishin e vlerës me të cilin u fillua dhe ministri i Infrastrukturës në atë kohë i shpëtoi gjyqit vetëm me raporte dhe se nuk u paraqit në gjyq se mbaroi koha e nevojshme. Kanë ndodhur shumë skandale të mëdha, mbase socialistët nuk kanë qenë kaq të zhurshëm sa janë opozita e sotme që ti ndiqnin seriozisht ato, sistemi i drejtësisë ka qenë i kontrolluar nga ata që ishin në pushtet, kështu që tani është koha dhe shpresojmë që edhe me sistemin e ri të drejtësisë të gjitha problemet e mëdha në historinë e këtyre 30 viteve tranzicion që nuk po mbaron kurrë duhet që të rishihen. Në si qytetarë shpresojmë, kryeministri u ankua publikisht dhe unë mendoj se ndërhyrjet nuk bëhen publikisht as presionet nuk mund të bëhen publikisht dhe ai e bëri në një forum të partisë së tij, më shumë për ti treguar njerëzve të partisë së tij që bëjë presion mbi kryeministrin se çfarë është duke u bërë me drejtësinë, çfarë po bëhet me Berishën. Kështu, ai i tregoi atyre që e kam kërkuar që të hetohet nuk është se kam rënë dakord që të mos trajtohet, por presionet nuk mendoj se bëhen në fjalime, por bëhen në takime kokë më kokë. Unë nuk kam dëgjuar nga prokuror që kryeministri ka kërkuar një gjë të tillë.

-Partia Demokratike ajo pjesë që mbështet Berishën sulmet e Ramës i kanë cilësuar si presione ndaj SPAK që në rrjetën e saj të bjer ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta. Si i shihni këto deklarata?

Nuk mendoj se janë ashtu si i cilësojnë sepse si e thash ai ato deklarata i bëri në një forum të partisë së tij, nuk i bëri në ndonjë mbledhje të sistemit të drejtësisë as në Parlament për ti thënë njerëzve që ne po përpiqemi, por drejtësia nuk është e jona është e pavarur.

-Mendoni se SPAK do të godas në nivele të larta zyrtarësh?

Natyrisht që duhet nuk ka prova ende por janë dy ministra brenda. Nëse Shqipëria është në këtë gjendje fajin e kanë ata që vendosnin, ata që janë në pushtet e kanë qenë. Prandaj u bë edhe reforma në drejtësi sepse drejtësia që ekzistonte kishte frikë nga më të mëdhenjtë dhe SPAK prandaj u krijua dhe ka detyrimin që të bëjë atë që nuk u bë më parë. Populli është i pakënaqur që reforma është vonuar dhe nuk po sheh gjëra të mëdha. Partnerët që na ndihmuan mezi po presim kanë thënë gjithmonë peshqit e mëdhenj./ Sot