Ajo që flitej prej kohësh në qarqet politike të Tiranës ndodhi pasditen e 19 majit 2021. Një datë e cila për Sali Berishën është shënuar si më e errëta në të gjithë karrierën e tij politike mbi 30-vjeçare.

Si sot 365 ditë më parë, vetë Sekretari Amerikan i Shtetit publikisht e shpalli zotin Berisha si të padëshiruar në SHBA.

Departamenti Amerikan i Shtetit e motivoi vendimin e shpalljes ‘non grata’ të Berishës bashkë me familjen përmes një shpjegimi të detajuar.

SHBA-të e shikojnë ish-Presidentin dhe ish-kryeministrin demokrat si një politikan të përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë, keqpërdorim të fondeve publike, ndërhyrje në proceset publike si dhe dhënie mundësi përfitimi aleatëve të tij politik.

Vendimi i sekretarit Blinken prodhoi një reagim të fortë nga Sali Berisha, duke e quajtur vendim si të gatuar nga kundërshtarët e tij politik në Tiranë, në bashkëpunim me Soros.

Vendosjen në vend të dinjitetit të nëpërkëmbur, siç e quan Berisha, e kërkoi në një gjykatë franceze duke paditur sekretarin Blinken. Sot një vit më pas, askush nuk di se çfarë po ndodh me atë proces.

Ky vendim amerikan pasoi me kërkesën drejtuar Lulzim Bashës ta përjashtonte Berishën nga grupi parlamentar i PD-së. Duhet të ishte fillimi i fundit të tij politik. Por kjo lëvizje e Bashës i shërbeu Berishës në nisjen e një fushate me doza të forta antiamerikane, duke shënjeshtruar të dërguarën e Washingtonit në Tiranë, Yuri Kim.

Në fakt nuk ishte hera e parë që Berisha vendoset në një kurs të fortë përplasjeje me Amerikën, e cila e mbështeti të fitonte zgjedhjet e para pluraliste në 1992, të vetmet të fituara me meritë nga PD-ja. Në një foto të Yuri Kim pak ditë më parë në Washington, me disa ish-ambasadorë amerikane, nuk ishin të paktë ata që përfunduan si armiq te doktorit, Marisa Lino, Alex Arvizu, por edhe William Ryerson.

Ambasadori amerikan i vitit 1992 e bekoi me forcë fitoren e parë të demokratëve në zgjedhjet e atij viti, që edhe sot e kësaj dite rezultojnë si te vetmet zgjedhje të fituara pastër nga demokratët.

Por 30 vite me pas edhe Ëilliam Ryerson ndan një mendim krejt tjetër për doktorin e viteve ’90, që premtoi shërimin e plagëve të komunizmit por që prej 19 Majit 2021 u vendos në listën e zezë amerikane.

“Për mua ky është një sinjal kundër korrupsionit, jo vetëm për Shqipërinë, por se Uashingtoni do ta godasë korrupsionin sa herë ta shohë, pavarësisht se për kë bëhet fjalë. Ajo që ka rëndësi është çfarë bën tani ky, apo ai person, ky, apo ai entitet. Ndoshta para 25-30 vitesh nuk ishin përfshirë në korrupsion, por janë përfshirë më pas dhe prandaj tani po merr vëmendje kaq të lartë”, tha ambasadori Ryerson.

Në gjithë karrierën e tij politike Sali Berishës e përdori mbështetjen amerikane për interesa politike për çështje qe nuk ishin në dorë te tij, sesa pjesë e interesave gjeostrategjike te Washingtonit, siç ishte anëtarësimi në NATO apo ndërhyrja ushtarake në Kosovë, por është armiqësuar me gardianin e demokracisë shqiptare sa herë ata i kanë treguar vijat e kuqe siç ishin zgjedhjet e masakruara të 1996-tës, skemat piramidale, vrasja e katër protestuesve në 21 Janar, dhe per më shumë rezistenca dhe minimi i reformës në drejtësi.

I njohur si një politikan me karakter të fortë që kërkon të fitojë edhe kur e ka kundër SHBA-në, Berisha prodhoi krizën më të fortë brenda PD-së që prej krijimit të saj. Por edhe përçarjen më shkatërruese për formacionin e parë politik antikomunist në vend.

E ndërsa Berisha po avancon në marrjen e drejtimit të një PD-s për amerikanët nuk ka kthim pas. Vendimi nuk zhbëhet. Amerikanët shqetësimin e tyre për Berishën e kthyen në ndëshkim. Deri më sot, ndëshkimi i vetëm, pasi drejtësia e re shqiptare, 365 ditë më pas nga ky vendim, nuk ka asnjë përpjekje te dukshme që shqetësimin amerikan ta përdorë si një indicie në favor të llogaridhënies ligjore nga Berisha.

Në një cep të parkut Rinia, në 32 vjet simbolika ka ndryshuar tre herë. Pak metra më tutje në vitin 1990 disa të rinj tentuan t’i vinin tritol statujës së Stalinit. Megjithëse përpjekja dështoi, një mëngjes regjimi, në ditët e tij të fundit, u detyrua ta hiqte vetë. Në 1992, në vendin e statujës, u ngrit një prej lokaleve të para private, “Bar Amerika”.

Sot, në këtë vend, është monumenti i Pavarësisë, vënë në 100-vjetor. Sot, 110 vjet më pas, askush nuk mund të mohojë se as ky monument, dhe as vetë Shqipëria nuk do të mund të ekzistonin, pa mbështetjen e Amerikës. Por miqësitë e mëdha, vijnë me një faturë. Atë të përgjegjësisë.

Top Channel