“Fakti që Tirana është një nga kryeqytetet e futbollit të Evropës këtë muaj dhe shtëpia e finales prestigjioze, është një dëshmi e punës së mirë strategjike që Shqipëria bëri në zhvillimin e futbollit në territorin e saj”, deklaroi sot presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Čeferin theksoi gjithashtu se, falë kësaj finaleje, Shqipëria, si vend mikpritës, ka një shans të shkëlqyer për të prezantuar kulturën, sportin dhe potencialin e saj turistik dhe shprehu besim se vendi ynë do të nxjerrë më të mirën prej saj.
Presidenti i UEFA-s gjithashtu vlerësoi investimin në infrastrukturën që ka bërë Shqipëria, duke e cilësuar si thelbësore për zhvillimin e futbollit.
Intervista e plotë e presidentit të UEFA-s, Aleksandër Ceferin për ATSH
ATSH: Më 25 maj 2022 Shqipëria do të zhvillojë për herë të parë finalen e një kompeticioni europian, si e vlerësoni këtë event dhe cilat janë pritshmëritë?
Čeferin: Jam i lumtur që finalet e kompeticioneve për klubet më të mira evropiane po luhen në të gjithë kontinentin, veçanërisht në vendet që rrallë kishin një shans për të organizuar ngjarje të tilla. Kjo praktikë që filloi me Superkupën e UEFA-s në vitin 2013, tani po vazhdon edhe me UEFA Conference League. Si rezultat, vendet mikpritëse kanë një shans të shkëlqyer për të prezantuar kulturën, sportin dhe potencialin e tyre turistik dhe kam besim se Shqipëria do të nxjerrë më të mirën prej saj. Për më tepër, është një mundësi fantastike për tifozët vendas që të shijojnë ngjarjet e futbollit të klasit botëror dhe të ndjejnë një jehonë unike dhe atmosferë festive që vetëm një finale evropiane mund ta ofrojë. Shumë të ashtuquajtur ekspertë të futbollit u përpoqën të na bindin se UEFA Conference League nuk do të ishte kurrë po aq e rëndësishme dhe tërheqëse sa dy kompeticionet e tjera. Dhe u desh vetëm një sezon për t’u vërtetuar se e kishin gabim. Ju keni dy skuadra në finale që mund të luajnë lehtësisht në UEFA Champions League për sa i përket cilësisë. Dhe interesimi i shprehur në këtë finale është fantastik dhe jam i kënaqur të shoh reagimin e tifozëve ndaj këtij turneu të ri.
ATSH: Sa e vështirë ishte përcaktimi i Tiranës si kryeqyteti që do të priste këtë vit finalen e Konferencës së Ligës dhe çfarë prisni nga kjo ngjarje?
Čeferin: Jam i bindur se do të kemi një natë për ta kujtuar. Në organizimin e çdo finaleje evropiane janë investuar shumë muaj planifikime, diskutime dhe trajnime. Për më tepër, UEFA bashkëpunoi ngushtë me komitetin organizativ lokal të Shqipërisë, shoqatën kombëtare dhe autoritetet publike për të ofruar një mjedis të sigurt dhe mikpritës për skuadrat pjesëmarrëse, zyrtarët e ndeshjeve dhe tifozët që udhëtojnë dhe ata vendas. Gjithashtu dua të falënderoj qeverinë shqiptare për mbështetjen e dhënë në këtë proces dhe më bëri përshtypje që prezantuan një festë kombëtare për këtë rast. Një numër i konsiderueshëm i tifozëve udhëtues priten në Tiranë dhe ka një plan të vendosur nga autoritetet lokale për t’i bërë ata të ndihen të sigurt dhe të mirëpritur si në qytet ashtu edhe në stadium. Pas dy vitesh të shënuara me pandemi, tifozët merituan të shijojnë çdo moment të kësaj dhe të jenë përkrah ekipeve të tyre në këto momente historike. Të dy klubet dhe UEFA punuan ngushtë me policinë dhe autoritetet lokale për të siguruar që të gjitha masat e nevojshme ishin bërë dhe komunikuar qartë me tifozët.
ATSH: Si e vlerësoni ecurinë e futbollit shqiptar gjatë kësaj dekade në drejtim të zhvillimit të infrastrukturës dhe arritjeve sportive?
Čeferin: Investimi në infrastrukturë është thelbësor për zhvillimin e futbollit. Është sfiduese të presësh rezultate të jashtëzakonshme pa stadiume dhe ambiente të mira stërvitore. Jam i lumtur që Federata Shqiptare e Futbollit dhe presidenti Armand Duka e kanë ditur këtë dhe kanë investuar shumë. Fakti që Tirana është një nga kryeqytetet e futbollit të Evropës këtë muaj dhe shtëpia e finales prestigjioze, është një dëshmi e punës së mirë strategjike që Shqipëria bëri në zhvillimin e futbollit në territorin e saj.
ATSH: Në Shqipëri ka disa stadiume të cilat janë rikonstruktuar duke arritur parametrat e UEFA-s, si stadiumi i Elbasanit apo i Shkodrës. Kur mund të kemi ndeshje të tjera finale edhe aty?
Čeferin: Mund të luajmë finalet kudo ku është e përshtatshme infrastruktura dhe Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në këtë fushë. Por, do të ishte më mirë të pyesni federatën tuaj për planet e saj për të ardhmen.
ATSH: Në Euro 2016 Shqipëria mori pjesë për herë të parë në fazën finale të një kampionati europian, si e vlerësoni këtë arritje të vendit tonë dhe ecurinë e Kombëtares shqiptare gjatë këtyre viteve?
Čeferin: Shqipëria ka një ekip të shkëlqyer dhe konkurrues. Ata u kualifikuan në Ligën B të Ligës së Kombeve të UEFA-s, me shanse reale për t’u promovuar sërish. Ju mbetët konkurrues në kualifikueset e Kupës së Botës në një grup të fortë me Anglinë, Poloninë dhe Hungarinë duke përfunduar dy pikë larg vendit të play-off-it. Skuadra është ende jashtëzakonisht e re dhe e talentuar, me shumë lojtarë që po hyjnë në vitet e tyre kryesore. Të shohim se çfarë do të sjellë shorti, por kam besim se Shqipëria mund të jetë pretendente për një vend në turneun final të UEFA EURO 2024.