Ministri i Brendshëm Blendi Çuçi njoftoi këtë të enjte se me rastin e ditës së 5 Majit do të bëhet transferimi i eshtrave të policëve Artan Cuku, Elham Elezaj dhe Rufan Hakramaj në Varrezat e Dëshmorëve, si shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë prej tyre në ruajtjen e ligjit dhe kushtetutës.
Ministri i Brendshëm i bëri deklaratat gjatë inagurimit të memorialit për 225 efektivët e rënë në krye të detyrës, ku theksoi se të gjithë ata e meritojnë statusin dëshmor, pavarësisht nëse kanë rënë në luftë apo në paqe.
“Të gjithë dëshmorët pavarësisht nëse kanë rënë në luftë apo në paqe, ata kanë një gjë të përbashkët e deshën atdheun më shumë se jetën, ose siç thotë kryeministri e deshën atdheun me jetë. Ata kanë rënë në krye të detyrës për të mbrojtur ligjin, kushtetutën dhe për ta bërë vendin më të sigurt.
Çdo komb duhet t’i nderojë në nivelin më të lartë dëshmorët e tij.
Ne sot zgjodhëm dy ngjarje për ta kremtuar 5 Majin E para, inagurimin e këtij monumenti. Desha të falenderoj skulptorin për këtë vepër që ia dhuruan policisë dhe zgjodhëm ta inagurojmë sot për 5 maj për t’u përulur edhe njëherë përpara veprës të këtyre 225 dëshmorëve të rënë në krye të detyrës.
Gjithashtu kemi zgjedhur që sot të bëjmë edhe procesin e dërgimit në Varrezat e Dëshmorëve të trupave të 3 punonjësve të rënë në krye të detyrës, të Artan Cukut, Elham Elezajt dhe Rufan Hakramajt për t’i çuar te vendi që u takon përkrahë shokëve të tyre. Ne nuk mbetemi vetëm te smbolika, ne në fund të vitit të kaluar kemi miratuar një ligj të posaçëm për trajtimin e dëshmorëve të atdheut, një detyrim që ne kemi ndaj familjarëve të atyre që kanë dhënë jetën në mbrojtje të atdheut. Ky ligj garanton një pagë për çdo fëmijë nën moshën 18-vjeç, duke garantuar shkollim deri në nivelin master dhe duke garantuar një punë për ata që mbarojnë shkollën”, tha Çuçi.