Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur deklaratave të ministrit të jashtëm grek, Nikos Dendias për çështjen e detit, i cili u shpreh se Kreu i Shtetit shqiptar nuk ka dhënë autorizimin për të negociuar.
Në një konferencë për mediat, Meta deklaroi se në vitin 2018, ka dhënë autorizimin për krijimin e grupit negociator për të biseduar me palën greke.
“Në datë 23 maj, javën e kaluar, ministri grek ka vizituar Shqipërinë, duke u takuar me ministren e jashtme dhe kryeministrin. Nga pala greke nuk është kërkuar asnjë takim i ministrit Dendias me Presidentin. MInistri Dendias ndër të tjera është shprehur se u ra dakord që tia referojmë çështjen tonë gjykatës në Hagë. Kjo nuk ka ndodhur, tha Ministri Dendias, pasi Presidenti nuk i ka dhënë autorizimin përkatës. Kjo do ndodhë pas 2-3 muajsh kur të zgjidhet Presidenti i ri.
Dua të sqaroj se Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, zoti Bushati, përmes kërkesës nr 24/28 protokolluar më 13 shkurt 2018, paraqiti kërkesën pranë Presidentit për pajisjen e grupit negociator në autorizim për plotfuqi për nisjen e procesit për negociatat me Greqinë për përkufizimin e zonave detare. Presidenti konstatoi një sërë problematikash.
Pas paraqitjes së informacionit shtesë nga ministri i jashtëm, Presidenti përmes aktit nr 733, datë 19 mars 2018, autorizoi ministrin e jashtëm të Shqipërisë, të lëshojë plotfuqinë për grupin negociator të Shqipërisë, për negocimin e projektmarrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë për saktësimin e vijës delimituese. Delimitimin e shelfit kontinental. Grupi negociator i Shqipërisë, është pajisur me autorizim, për të arritur një marrëveshje për përkufizimin e zonave detare. Përpos detyrave të tjera, vetëm grupi negociator është autoriteti i vetëm” – tha Meta.