Chelsea ka marrë një tjetër rezultat zhgënjyes në Premier League pasi ka barazuar 2-2 me Wolves në javën e 36-të të kampionatit anglez. Skuadra e Tuchel ka shpërdoruar një avantazh prej dy golash.
Protagonisti i ndeshjes së luajtur në Stamford Bridge ka qenë Romelu Lukaku. Sulmuesi beltg, i cili nuk shënonte në kampionat nga 29 dhjetori i 2021-shit, ka realizuar dy gola në harkun e dy minutave në pjesën e dytë.
Ish-sulmuesi i Inter-it ka zhbllokuar takimin në minutën e 56-të me një penallti dhe më pas ka dyfishuar avantazhin në të 58-ën me një finalizim të bukur pas një asisti të Pulisic.
Me dygolëshin e sotëm, Big Rom ka arritur kuotën e 200 golave në karrierë në kampionatet ku ka luajtur dhe është bërë golashënuesi më i mirë i Chelsea-t në këtë sezon me 14 gola.
I pranishëm në Stamford Bridge ka qenë edhe Todd Boehly, pronari i ri i londinezëve, i cili e ka blerë klubin për 4.25 miliardë sterlina.
Biznesmeni amerikan ka qenë protagonist i një momenti komik në minutën e 38-të të ndeshjes. Në fillim ka festuar për golin e realizuar nga Loftus-Cheek, më pas ka mbetur i befasuar pas anulimit të golit nga VAR.
Befasia për vendasit ka ardhur në minutat e fundit të takimit. Trincao ka ngushtuar diferencat në minutën e 79-të dhe Coady ka barazuar ndeshjen në të 97-ën.
The moment Todd Boehly realizes premier league has no love for Americans 🇺🇸😉 pic.twitter.com/uUBk3cgoD6
— Men in Blazers (@MenInBlazers) May 7, 2022