Nga Ditmir Bushati

Është e vështirë të besohet, por e pamundur të mohohet se rendi ndërkombëtar që mbajti pjesën më të madhe të botës në këmbë që nga fundi i Luftës së Ftohtë është rrënuar, si pasojë e pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë. Më shumë se dy muaj luftë dhe një situatë e përshkallëzuar në aspektin humanitar, atë të sigurisë, ekonomisë dhe politikës, janë dëshmi e qartë e një peizazhi krejtësisht të ndryshuar të mjedisit të sigurisë, ku përballë njëra-tjetrës janë anarkia dhe nevoja për një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Deri dje ishim mësuar me një rend ndërkombëtar që funksiononte sipas devizës “Kurrë Më”! Kurrë më nuk do kishte gjenocid e krime luftë. Kurrë më kombe më të mëdha nuk do të fshinin nga harta kombe më të vogla. Pakkush e mendonte këtë luftë në Europën e vitit 2022, pas luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi. Vështirë ta rrokte imagjinata një tjetër eksod biblik në Europë, si ai që po ndodh me ukrainasit, të cilët duan të shpëtojnë nga kthetrat e luftës.

Pas Luftës së Ftohtë u bëmë dëshmitarë të një përplasjeje midis vlerave liberale, nga njëra anë, dhe nacionalizmit, nga ana tjetër. Besimi në histori na ushqeu bindjen te triumfi i vlerave demokratike. Mirëpo, populli i Ukrainës dhe lufta e tij po na tregon se të dyja këto koncepte mund të bashkëjetojnë. Ukrainasit po tregojnë se është e mundur të jesh patriot dhe të besosh në një shoqëri të hapur e demokratike.

SI DUHET TË PËRFUNDOJË KJO LUFTË?

Ndërkohë që rezistenca e popullit ukrainas është mbresëlënëse, lufta që po zhvillohet e ka përqendruar debatin kryesisht te mjetet: në sasinë dhe cilësinë e armatimeve ushtarake që i ofrohet vendit, në krijimin e një zone të ndaluar fluturimi mbi hapësirën ajrore të Ukrainës, sikundër në shtrirjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë. Pak është thënë se çfarë duhet bërë për t’i dhënë fund luftës dhe a shihet në horizont fundi i saj. Ka mbetur e pathënë nëse përfundimi i luftës do të zyrtarizohet me një traktat të nënshkruar nga Rusia dhe Ukraina, e të garantuar ndërkombëtarisht apo thjesht do të pranohet si realitet.

Përgjigjja e pyetjes se si duhet të përfundojë kjo luftë është jetike. Historia na mëson se luftërat mund të përfundojnë kur shfaqet një hendek i madh midis palëve ndërluftuese, në mënyrë që njëra palë të mund të vendosë dhënien fund, ose kur të dy palët kuptojnë se fitorja e plotë nuk është në horizont dhe vendosin se është më mirë të pajtohen sesa të përballojnë kostot e vijimit të luftës. Në secilën situatë, fundi i luftës kodifikohet në një marrëveshje me fuqi detyruese që trajton çështjet e territorit, politikës dhe ekonomisë, siç ishte rasti i mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Apo lufta thjesht mund të përfundojë de facto pa një paqe formale, si në rastin e luftërave të Koresë dhe të Gjirit Persik.

Sigurisht, ukrainasit kanë gjithë të drejtën që të përcaktojnë objektivat e tyre të luftës. Dhe objektiv parësor mbetet çlirimi i vendit. Këto objektiva në mënyrë të pashmangshme ndikohen nga zhvillimi i ngjarjeve dhe dinamika në terren. Megjithatë, ngjarjet në terren nuk duhet të përcaktojnë domosdoshmërisht objektivat. Synimet e politikave duhet të ndikojnë në atë që kërkohet në terren.

Rusët, nga ana tjetër, kanë hequr dorë nga ideja e “negociatave”. Takimi i Presidentit Putin me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Guterres, nuk prodhoi rezultate në shtensionimin e situatës në terren, por veç disa hapa në planin humanitar në lidhje me evakuimin e civilëve në qytetin e shkatërruar të Mariupolit. Madje, Putin mohoi cenimin e integritetit territorial të Ukrainës dhe përfshirjen e forcave ruse në krime lufte.

Krahas Ukrainës, edhe aleatët që mbështesin atë në këtë luftë, kanë objektiva. Duhet thënë se interesat e aleatëve mbivendosen me ato të Ukrainës. Ato janë më të gjera, duke përfshirë stabilitetin bërthamor me Rusinë dhe aftësinë për të ndikuar në ecurinë e programeve bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut. Rikonfigurimi gjeopolitik, me votimet në OKB për dënimin e agresionit rus në Ukrainë dhe pezullimin e Rusisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut, ku disa shtete me qeverisje demokratike dhe peshë në arenën ndërkombëtare abstenuan, nuk është premtues për Perëndimin në adresimin e sfidave që kanë të bëjnë sidomos me ndryshimet klimaterike.

Dy mësime nga historia

Vështruar në këtë kontekst, është e rëndësishme të mbahen parasysh dy mësime nga periudha e Luftës së Ftohtë. E para ka lidhje me evitimin e konfliktit të armatosur të drejtpërdrejtë mes dy fuqive kryesore të kohës, pavarësisht tendosjes në marrëdhënie mes tyre. E dyta ka lidhje me pranimin e rezultateve më pak se optimale. Për shembull, përparimi i sovjetikëve në Europën Lindore, pasi Moska shtypi revolucionin e 1956-ës në Hungari, dhe revolucionin e 1968-ës në Çekosllovaki, u pranua nga amerikanët, për të shmangur kërcënimin e interesave jetike sovjetike.

Kjo politikë, e cila njihet ndryshe edhe si “doktrina e frenimit”, i atribuohet diplomatit të njohur amerikan, George Kennan. Me kalimin e kohës, siç sugjeronte Kennan, aplikimi i suksesshëm i politikës së frenimit mund të shtonte presionet që do të minonin komunizmin, siç bëri përfundimisht, pas disa dekadash.

Mësimi i parë i Luftës së Ftohtë pasqyrohet në politikën ekzistuese të aleatëve ndaj Ukrainës. Që në fillim të luftës u bë e qartë se aleatët nuk do të ndërhynin ushtarakisht me trupat e tyre, e as nuk do të krijonin një zonë ndalim-fluturimi mbi hapësirën ajrore të Ukrainës, pasi një veprim i tillë mund të sillte forcat aleate dhe ruse në kontakt të drejtpërdrejtë dhe të rriste rrezikun e përshkallëzimit. Në vend të kësaj, aleatët zgjodhën një strategji indirekte për ofrimin e armëve, inteligjencës dhe trajnimit për Ukrainën, ndërkohë që shtuan presionin ndaj Rusisë me sanksione ekonomike dhe izolim diplomatik.

Mësimi i dytë i Luftës së Ftohtë ka të bëjë me vendimin e aleatëve për të përmbushur objektivat e tyre me mjete të kufizuara, i cili ka funksionuar në një masë të konsiderueshme. Kjo zgjedhje, gjithsesi, nuk e ka penguar Rusinë të shkatërrojë qendrat urbane të Ukrainës, ndërsa beteja midis forcave të armatosura të dy vendeve ka favorizuar Ukrainën.

ÇMIMI I LUFTËS

Në fazën aktuale të luftimeve pyetja që kërkon përgjigje është nëse aleatët duhet të vazhdojnë të përqafojnë qëllime të kufizuara, duke iu shmangur përpjekjeve ushtarake për të dëbuar Rusinë nga e gjithë Ukraina. Përgjigjja e kësaj pyetje merr rëndësi më të madhe në kushtet kur përfundimi i luftës nuk duhet në horizont. Ajo ka të ngjarë të vazhdojë kryesisht në lindje dhe jug të Ukrainës, megjithëse Rusia do të vazhdojë të sulmoj objektiva të tjerë, siç sulmoi sërish Kievin gjatë vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së atje.

Elementet e një strategjie për një luftë afatgjatë dhe që nuk i dihet fundi janë të njohura. Ndaj, mënyra më e mirë për ta përballuar atë është sigurimi i armatimeve, municionit, trajnimet dhe inteligjenca që i nevojitet Ukrainës për t’u mbrojtur kundër Rusisë. Po kështu, aleatët pritet të zgjerojnë në mënyrë graduale sanksionet, duke arritur shkallën më të madhe të izolimit që është vendosur ndonjëherë ndaj një vendi anëtar të G-20. Në këtë pikë SHBA-të kanë ndërmarrë shumicën e masave në dispozicion. Ndërsa për europianët hapat e mbetur janë veçanërisht të dhimbshëm, për shkak të ndërvarësisë me ekonominë ruse.

Ndryshimi i kursit në Gjermani, në raport me politikën e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes, dhe paralajmërimi për një embargo të përshkallëzuar ndaj naftës ruse, flasin qartë për përgatitjet e europianëvë për të paguar çmimin luftës që nuk i dihet fundi. Pengesa e parë duket se u kapërcye, kur Moska vendosi të reduktojë furnizimin me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë, teksa shtetet anëtare të BE-së reaguan shpejt, duke siguruar një pjesë të gazit të tyre për të rikuperuar humbjet e papritura nga furnizimi me gazin rus.

Në një periudhë të afërt, ka pak gjasa të shohim një traktat paqeje, një fund të vërtetë të konfliktit apo ndryshimin e regjimit në Rusi. Ndaj, tani për tani duket se synimi është që Rusia të mos zotërojë më shumë territor sesa kishte para pushtimit të Ukrainës dhe të vazhdojë të përmbahet nga përdorimi i armëve të shkatërrimit në masë. Me kalimin e kohës, Perëndimi mund të kombinojë aplikimin e sanksioneve dhe diplomacisë, me qëllim tërheqjen e plotë të ushtrisë ruse nga Ukraina.

PEIZAZHI I NDRYSHUAR I SIGURISË

Gjatë dy shekujve të fundit, Rusia është pushtuar tri herë, një herë nga Franca dhe dy herë nga Gjermania. Ndërkohë që gjatë Luftës së Ftohtë, forcat sovjetike ishin gjithmonë të gatshme për të luftuar kundër forcave të SHBA-së dhe NATO-s në Europë, që prej fundit të Luftës së Ftohtë, rusët objektivisht kanë gëzuar siguri më të madhe. Edhe pse NATO është zgjeruar në lindje, duke pranuar shtete që dikur bënin pjesë në Paktin e Varshavës, Rusia ka gëzuar siguri të paprecedentë në krahun e saj perëndimor. Moska, madje, mirëpriti atë që konsiderohet si lëvizja më e rëndësishme e aleancës pas rrëzimit të Murit të Berlinit: një Gjermani e ribashkuar e përfshirë brenda strukturave të NATO-s.

Mirëpo, edhe pse e paprovokuar dhe më e sigurt se më parë, Rusia nën udhëheqjen e Putinit nuk është përshtatur, dhe as e ka pranuar këtë realitet. Gjatë rrjedhës së historisë, fuqi të tjera të mëdha si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Japonia janë përshtatur me ndryshime të ngjashme. Megjithatë, ndryshe nga Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe deri diku Japonia, Rusia nuk ka pasur një histori marrëdhëniesh miqësore dhe bashkëpunimi strategjik me SHBA-në. Përkundrazi.

Ndryshe nga Gjermania dhe Japonia, Rusia nuk është mposhtur ushtarakisht. Dhe ndryshe nga Gjermania, e cila u bë një fuqi ekonomike pas Luftës së Dytë Botërore, Rusia nuk beson në “mrekullinë ekonomike”. Rusia e ka shikuar me dyshim integrimin e saj në rendin ndërkombëtar të vendosur pas Luftës së Ftohtë me frikën se nuk do të kishte fuqinë e duhur për të përcaktuar fatin e sigurisë në Europë dhe botë.

George Kennan thoshte se, “tragjedia e Rusisë është se e sheh Ukrainën ose si vasale të saj ose si armike”. Teksa Rusia po konsumon “tragjedinë” e saj në Ukrainë, jemi përballë një peizazhi të ndryshuar të sigurisë në Europë, ku NATO shfaqet më e bashkuar. Zgjerimi i NATO-s me shtete që tradicionalisht janë konsideruar neutrale është më i mundshëm për shkak të këtij peizazhi të ndryshuar të sigurisë.

Paradoksalisht, një gjë e tillë është e pamundur për Ukrainën, të paktën në një periudhë të afërt. Sakaq, Finlanda dhe Suedia duken të gatshme t’i bashkohen aleancës. Dhe kjo e fundit e gatshme t’i mikpresë ato, fillimisht përmes një zotimi politik në Samitin e Madridit, që pritet të mbahet në fund të qershorit. Aderimi i këtyre vendeve në NATO do të sjellë risi për aleancën, duke përfshirë aftësitë e avancuara ajrore dhe detare, e duke ndihmuar kësisoj në parandalimin e agresionit të mëtejshëm rus.

Ashtu sikurse rënia e Bashkimit Sovjetik e shtyu Suedinë dhe Finlandën të rishqyrtojnë marrëdhëniet e tyre me BE-në, konsumimi i “tragjedisë” ruse në Ukrainë, i ka shtyrë ato të rishqyrtojnë elementet themelore të politikave të sigurisë, duke përfshirë marrëdhëniet e tyre me NATO-n. Ndoshta pasoja më e rëndësishme e pranimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO do të jetë rritja e fuqisë politike të aleancës si shtylla e mbrojtjes së Europës dhe hapësirës transatlantike. Aderimi i dy vendeve në NATO, ndihmon në lehtësimin e një bashkërendimi më kapilar ndërmjet BEsë dhe NATO-s, duke kontribuar kështu në ndarjen më të mirë të barrës në të gjithë Atlantikun.

Gjithashtu, aleatët aziatikë të NATO-s, Japonia dhe Korea e Jugut po planifikojnë të marrin pjesë në Samitin e Madridit duke formuar kështu një koalicion më të madh dhe më koheziv, si forcë përbashkuese ndaj kërcënimit rus. Në këtë peizazh të ndryshuar të sigurisë, është e rëndësishme që ky koalicion të përfshijë në trajta të ndryshme partneriteti shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe ato të Partneritetit Lindor, të cilat nuk janë ende anëtare të NATO-s. Shtete, të cilat janë të gatshme të kontribuojnë për sigurinë, duke paguar çmimin e së ardhmes në liri e prosperitet.

*Shkrimi është botuar në revistën e Friedrich Ebert Stiftung