Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka bërë sot një tjetër apel për qytetarët lidhur me 25 majin, ku do të zhvillohet në Tiranë finalja e Conference League.
Në një deklaratë për mediat, i shoqëruar nga drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, Çuçi bëri thirrje që qytetarët të cilët nuk kanë një biletë të mos vijnë në Tiranë, të mërkurën. Në këtë ditë gjithashtu do të paralizohet qarkullimi i automjeteve në rrugët e kryeqytetit. Të gjitha akset hyrëse në Tiranë do të bllokohen deri në orën 18:00 pasdite.
“Në Tiranë, mos hajdeni! Nëse nuk keni një biletë sepse do të jetë bllokuar. Në Tiranë do të qarkullojë ata që kanë një biletë dhe tiransit. Unë ju bej thirrje qytetarëve të tjerë që të mërkurën të mos tentojnë të vijnë në Tiranë”, tha Çuçi.
Po ashtu ai u kërkoi bankave dhe bizneseve private që ta bëjnë pushim. Ndërkohë, ministri sqaroi se ata që duan të dalin nga Tirana, do t’ju mundësohet një gjë e tillë përmes korridoreve të daljes.
“I bëj thirrje bankave dhe bizneseve private ta bëjnë pushim në 25 maj. Ata që do të jenë në punë do të lejohen. Sikundër edhe kush do të dalë nga Tirana do të ketë kanalet e daljes. Ajo që do të bllokohet është qarkullimi”, tha Çuçi.
Kujtojmë po ashtu se 25 maji do të jetë ditë pushimi për institucionet publike në Tiranë. Finalja e “Conference League”, do të luhet në në “Air Albania” në orën 21:00 mes Romës dhe Feyenoordit të Roterdamit.