Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano prezantoi ditën e sotme, Rektorin e ri të Akademisë së Sigurisë Prof/Dok Ilirjan Mandro.
Gjatë fjalës së tij Drejtor Nano vlerësoi punën, angazhimin dhe profesionalizmin e ish-Rektorit të Akademisë së Sigurisë, Bilbil Memaj, i cili tashmë është emëruar Këshilltar në Kabinetin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Nano theksoi se Akademia e Sigurisë kishte nevojë për një impuls të ri dhe në këtë kuadër zgjedhja e ish-dekanit të Fakultetit të Hetimit dhe Sigurisë Ilirjan Mandro, në krye të Akademisë së Sigurisë, do të çojë me tej projektet e nisura nga vetë Akademia dhe nga Policia e Shtetit, për ta fuqizuar më tej këtë institucion shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Policinë e Shtetit, por për të gjitha institucionet që garantojnë siguri në vend.
Më tej Nano ka vlerësuar integritetin, përgatitjen profesionale dhe përkushtimin që mbart profesor Mandro, dhe i ka vendosur në mënyrë simbolike gradën drejtues i lartë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka kërkuar nga të gjithë të pranishmit që, së bashku me Rektorin e ri të Akademisë së Sigurisë, të punojnë me përkushtim, ndershmëri dhe profesionalizëm në edukimin e brezave të ardhshëm të Policisë, pasi Akademia e Sigurisë është institucioni me i rëndësishëm që shkollon dhe trajnon brezat, jo vetëm të Policisë së Shtetit, por edhe të shumë institucioneve të tjera në vend.
Gjatë fjalës së tij Bilbil Memaj ka falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm për vlerësimin dhe i ka uruar Rektorit të ri suksese në detyrë.
Ilirjan Mandro ka siguruar Drejtorin Nano se besimin e tij për ta emëruar në këtë detyrë, do ta përmbushë më përkushtim e ndershmëri dhe përmes një filozofie të re për ta çuar në një stad tjetër Akademinë e Sigurisë, në interes të së mirës së përgjithshme.