Sulejman Starova e ka shijuar derbin si trajner në të dyja anët, te Partizani dhe te Tirana. Me bardheblutë është shpallur kampion në vitin 2005, teksa këtë sukses Tirana mund ta vulosë në derbin e sotëm. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Starova sheh Partizanin si favorit, por sot pret që ekipi i Shehit të jetë më agresiv.
FAVORITI – “E shoh Partizanin në rritje dhe më të përqendruar në garë, sepse po lufton për kualifikimin në Ligën e Konferencës dhe nuk ka mungesa në këtë ndeshje. Tirana pak a shumë e ka siguruar titullin, por pavarësisht kësaj pres të jetë një tjetër ekip në krahasim me këto javët e fundit. Gjithsesi, e shoh më të avantazhuar Partizanin”.
SEZONI I PARTIZANIT – “Partizani e ka djegur sezonin e vet, sepse nuk ka arritur të marrë asnjë trofe. Është një kampionat, që në tërësi quhet i dështuar për Partizanin, por pjesëmarrja në Ligën e Konferencës, e shpëton deri diku”.
RËNDËSIA – “Janë shumë faktorë, që ndikojnë për ta fituar një ndeshje të tillë. Duhet të jesh mirë fizikisht, të kesh shumë besim në vetvete. Në fund varet edhe se si të merr një ndeshje derbi. Nuk duhet nënvlerësuar. Tirana e ka prekur titullin dhe shkon me moral të mirë, por nëse mundet e humbet shkëlqimin e titullit. Derbi është shumë i rëndësishëm për historikun e përballjeve dhe për tifozët. Vlen po tri pikë në renditje, por është i çmuar për tifozët dhe anën emocionale. Në përgjithësi trajnerët janë të kujdesshëm në derbi dhe kujdesen fillimisht të mos pësojnë gol. Këtë e ka bërë Tirana në këtë sezon dhe mendoj se do ta bëjë edhe nesër. Nuk besoj se do të shkojë në aventurë. Bardheblutë e dinë forcën e Partizanit. Të kuqtë janë skuadër e vrullshme, por u mungon disi eksperienca”.
SHEHI–MEHMETI – “Unë i njoh të dy dhe kam simpati për të dy. Shehi është trajner i ri dhe i ka treguar aftësitë për trajner edhe si lojtar. Ka qenë portier nga ata që organizonin skuadrën dhe e kuptonin lojën shumë mirë. Prandaj ka edhe shansin të bëhet një trajner shumë i mirë. Mehmeti gjithashtu nuk është një emër me eksperiencë, por ka treguar se është trajner i mirë dhe ka fituar simpatinë e teknikëve, megjithëse ende jo të publikut apo tifozëve. Ne si specialistë e njohim mirë Mehmetin dhe e dimë se është një zanatçi i mirë. Nuk shoh ndonjë avantazh ndërmjet të dyve në këtë garë mes njëri-tjetrit”, përfundoi Starova.