Trupat e Putinit po plagosen qëllimisht dhe madje po vrasin veten për të shmangur përballjen me tmerret e luftës në Ukrainë, sipas një ushtari rus të kapur. Andrey Ushakov, 20 vjeç tha se ai kishte informacion për dy ushtarë që qëlluan dhe vranë veten në vijën e frontit, shkruan Daily Mail.
Të tjerët në fushën e betejës po zgjedhin të qëllojnë veten në një përpjekje për t’u dërguar në shtëpi të plagosur në vend që të vazhdojnë në fushatën e egër. Ata shpresojnë të klasifikohen si Cargo 300, që do të thotë të plagosur, ndërsa Cargo 200 do të thotë të vdekurit e luftës.
Ushakov i tha një gazetari ukrainas: “Të gjithë ishin në panik dhe donin të largoheshin, por nuk kishte asnjë mënyrë. E vetmja mundësi për të shkuar ishte 300. Disa njerëz nuk mundën ta duronin dhe qëlluan veten e tyre”.
Ai shtoi se: “Dy djem qëlluan veten, sepse nuk ia dolën mbanë, nuk kishte rrugëdalje tjetër. Mendërisht ata nuk mund të përballonin atë që po ndodhte atje.
Përveç frikës nga vdekja në luftimet me ukrainasit, kishte një mungesë tronditëse racionesh, tha ai. “Nuk kishte ushqim, nuk kishte ujë,” i tha ai Volodymyr Zolkin, i cili ka bërë kronikë të robërve rusë për Open Media Ukraine. “Na u dhanë pak ushqim në përgjithësi. Kishte ditë kur tre prej nesh ndanim një racion të thatë.”