Teksa sot ishte caktuar që të mbahej mbledhja e Grupit Parlamentar të PD-së, ku do të diskutohej mbi zhvillimet për zgjedhjen e presidentit, gjithçka duket se është anuluar. Sekretari i grupit parlamentar, Arbi Agalliu iu ka dërguar një mesazh deputetëve të PD-së, ku i njoftonte për anulimin e mbledhjes, e cila ishte thirrur me kërkesë të Enkelejd Alibeajt.

Anulimi i kësaj mbledhje, sipas PD-së është bërë për faktin se PS ka ndryshuar qëndrim lidhur me negociatat që tashmë po zhvillohen me opozitën për zgjedhjen e kreut të shtetit.

“Përshëndetje!
Pas ndryshimit të qëndrimit të PS lidhur me procesin e zgjedhjes se Presidentit, mbledhja e sotme e grupit nuk do të zhvillohet!
Ju faleminderit!”, thuhet në mesazhin e dërguar deputetëve të PD-së, raporton BalkanWeb.

PAKTI DREJT DESHTIMIT
Pa u bërë 48 orë nga arritja e një marrëveshje publike mes PS-së dhe Opozitës për mënyrën se si duhet zgjedhur Presidenti, pakti mes tyre duket se po shkon drejt dështimit. Teksa Partia Demokratike është fokusuar në hartimin e një liste me kandidatë për President që do t’ia paraqesë maxhorancës, kjo e fundit duket se ka tjetër qasje për mënyrën se si duhet të vijojë procesi.

Mëngjesin e sotëm grupi parlamentar socialist shpërndau një deklaratë të shkurtër ku kujtonte se sipas sqarimit që kishte bërë dje, dakordësia mes palëve është që opozita të sjellë një emër në raundin e dytë dhe të tretë, i cili duhet të vijë me firma mbështetëse.

Kjo do të thotë se të hënën në Parlament, deputetët duhet të votojnë për një emër të ardhur me firmat e të paktën 20 deputetëve të opozitës. “Dy dite me pare kemi rene dakord qe ne raundin e dyte dhe te trete ne nuk do propozojme kandidat dhe i takon opozites te propozoje. Propozimi per President duhet te vije dhe me firma mbeshtetese nga opozita. Nese presidenti nuk zgjidhet ne keto dy raunde, ne raundin e katert do te propozojme ne. Takimi ka qene publik dhe kjo eshte dakordesuar ne prani te mediave”, thuhet në deklaratën e PS-së.

Por nga ana tjetër, demokratët kanë reaguar përmes nënkryetares së grupit parlamentar, Oriola Pampuri e cila ka publikuar edhe njëherë pikën 4 të dokumentit të PD-së, sipas të cilës PS-ja ka rënë dakord.

“Dakordësimi i PS me dokumentin e PD për propozimin dhe nënshkrimin e firmave për kandidatin për president e përcakton qartë se emri final që propozohet për raundin e dytë duhet të ketë mbështetjen e të gjitha palëve ose e thënë qartë do të bashkëpropozohet. Zoti Balla në takimin dypalësh në sy të gazetarëve dhe kamerave, ra dakord që të pranojë fiks siç është dokumentin e propozuar nga grupi i PD”, shkruan Pampuri.

Në pikën 4 thuhet se “Një Komision i përbërë nga 6 anëtarë: 3 shumica parlamentare dhe 3 pakica parlamentare, shqyrtojnë 2 kandidatët e përzgjedhur dhe bien dakord për përzgjedhjen dhe propozimin e përbashkët të njërit prej kandidatëve. Kandidatura e përzgjedhur i nënshtrohet votimit në seancë plenare”.

Sipas saj “pra tashmë PS ka veç një zgjedhje: të mbështesë me firma kandidaturën e propozuar nga opozita dhe dakordësuar në negociata mes palëve. Rruga tjetër është po ashtu vetëm një: Të bëjë atë që di të bëjë më mirë, të shkelë rregullat e dakordësuar prej saj. Këtë e përcakton qartë pika 6 e dokumentit të Grupit të PD: Shkelja e njëanshme e rregullave të procedurës i njoftohet zyrtarisht shumicës parlamentare dhe publikohet menjëherë. Në rast të mosriparimit të shkeljes ose në rast të shkeljes së përsëritur të tyre, opozita parlamentare tërhiqet nga pjesëmarrja e mëtejshme në proces duke treguar publikisht edhe shkakun”.