Biznesi po shpreh mbështetjen për kandidaturën e Z.Përparim Kalo për President të Republikës së Shqipërisë. Pas Dhomës Italiane të Tregtisë është Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ajo që i ka dërguar një shkresë mbështetëse Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetarëve të Partive politike.
Në shkresë thuhet:
“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në vendimin e fundit të kryesisë së këtij institucioni të datës 11 maj 2022, është në mbështetje të propozimit të organizatave të shoqërisë civile dhe dhomës së sipërmarrësve Italianë në Shqipëri për kandidaturën e Z.Përparim Kalo për President të Republikës së Shqipërisë.
Kryesia e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në mbledhjen e saj të datës 11 Maj 2022, vendosi:
“Të vlerësojë ftesën e hapur që politika dhe institucionet e rëndësishme të shtetit i kanë bërë shoqërisë civile dhe organizatave të biznesit në lidhje me zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Të vlerësojë pozitivisht dhe mbështesë propozimin e 10 organizatave të njohura të shoqërisë civile dhe dhomës së sipërmarrësve Italianë në Shqipëri, për kandidaturën e Z. Përparim KALO për postin e lartë të Kryetarit të Shtetit. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë- Tiranë është dëshmitare e reputacionit dhe përvojës së tij të gjatë dhe kontributit të veçantë si jurist dhe veprimtar aktiv në mbështetje të organizatave të biznesit, si në kuadrin e përmirësimit të legjislacionit shqiptar, sidomos atij tregtar dhe në përmirësimin e klimës së biznesit e të investimeve, nëpërmjet lobimit dhe rekomandimeve të vazhdueshme si anëtar i disa bordeve të organizatave të biznesit.
Jemi të bindur se me figurën e tij publike, të pandikuar politikisht ai mund të realizojë atë që kërkohet më shumë se kurrë sot, qëndrimin mbi palët, në mbrojtje të rendit kushtetues, që justifikon plotësisht ushtrimin e funksioneve të rëndësishme që ka Presidenti i Republikës.
Vlerësimi i kësaj kandidature do ti jepte shpresë jo vetëm biznesit por edhe më gjerë organizatave të shoqërisë civile, se tashmë zhvillimi i ekonomisë mbi baza sa më të qarta dhe të shëndosha kushtetuese e ligjore fillon me vendosjen në krye të shtetit të një personi që ka të gjitha parametrat e duhura për të luajtur në mënyrën më të mirë rolin e Presidentit”.
Përparim Kalo është themelues i zyrës së avokatisë KALO & ASSOCIATES (1994), përfaqësuese edhe e shume kompanive Forture 500 and Fortune 100, si dhe këshilltar i organizatave ndërkombëtare dhe agjensive të zhvillimit, si BANKËS BOTËRORE, BERZH, USAID, SIDA, DANIDA, ADA, Albanian-American Development Foundation (AADF), etj., dhe këshilltar i disa ambasadave të akredituara në vendin tonë, si Ambasada e Austrisë, Gjermanisë Federale, Britanisë së Madhe, Japonisë, Vendeve të Ulëta, Danimarkës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, etj.
Ai ka luajtur rol aktiv dhe të shquar në përmirësimin e klimës së biznesit dhe ne forcimin e parimeve demokratike korporative dhe në fuqizimin e këtyre organizatave duke qenë vazhdimisht i zgjedhur në forumet drejtuese të organizatave të biznesit, si Dhoma Amerikane e Tregtisë, Shoqata e Austrisë, Shoqata e Investitorëve të Huaj, Dhoma Italiane e Tregtisë, Dhoma Japoneze, Dhoma Franceze, Shoqata për Dialog Biznes-Parlament.