Kancelari gjerman Olaf Scholz do të presë ditën e sotme në Berlin në takime të ndara kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me të cilët do të zhvillojë takime të ndara

Ky takim po zhvillohet në kuadër të mbështetjes së dialogut mes Serbisë dhe Kosovës. Ditë më parë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka konfirmuar se në Berlin do të udhëtojë sot edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ky i fundit fillimisht do të takohet me kancelarin Scholz e pastaj do të zhvillojë takim jozyrtar të veçantë me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.

Takimi i kancelarit Scholz me kryeministrin Kurti do të mbahet në orën 15:00, kurse më pas do të mbahet një konferencë për media rreth orës 16:00. Ndërsa, takimi me presidentin serb Aleksandar Vuçiç do të zhvillohet në orën 17:30, ndërsa nga ora 18:30 do të mbahet një konferencë për media.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u takuan për herë të parë më 15 qershor të vitit 2021 në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Takimi i dytë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiçit ndodhi më 7 korrik 2021 dhe që atëherë nuk ka pasur takime të reja në nivel të lartë.