Nga Eduard Zaloshnja

Sipas të dhënave zyrtare, mosha mesore e banorëve të rritur të Shqipërisë është 47 vjeç – gjysma e tyre janë 18 deri 47 vjeç dhe gjysma tjetër 47 vjeç e sipër. Ky kufi moshor përcakton dhe një kufi ku burimet e informimit ndryshojnë rrënjësisht. Kështu më rezultoi nga një sondazh rigoroz që organizova në terren me anketim të drejtpërdrejtë të 1115 banorëve të rritur, të vendndodhur proporcionalisht në gjithë Shqipërinë.

Konkretisht, plot 61% e të anketuarve 18-47 vjeç kanë si burim kryesor informacioni Internetin (portalet e mediat sociale), ndërsa plot 85% e të anketuarve 47 vjeç e sipër kanë si burim kryesor informacioni mediat tradicionale, si televizionin, radion e gazetat print (shihni Tabelën 1).

Sidoqoftë kjo tablo e mësipërme nuk do të thotë se moshat më të vjetra nuk e përdorin fare internetin – thjesht e përdorin më shumë për qëllime të tjera.

Kështu, plot 55% e të anketuarve 47 vjeç e sipër e përdorin internetin më së shumti për të komunikuar me familjarë e miq, dhe vetëm 27% për t’u informuar (shihni Tabelën 2). Ndërsa tek moshat 18-47 vjeç mbizotëron përdorimi i internetit për informim.