Diplomohet kadeti shqiptar në Akademinë Ushtarake të West Point në SHBA. Enea Hilaj u diplomua pas 4 vitesh studimi, në një ceremoni që u mbajt më 21 maj 2022 nën drejtimin e Shefit të Shtabeve të Bashkuara të SHBA-së Gjeneral Mark Milley.
Enea Hilaj ishte pjesë e kontigjentit të 1048 oficerëve që do t’u bashkohen Forcave të Armatosura të SHBA-së edhe atyre të vendeve aleate. Kadeti Hilaj do t’i shtohet armatës së gjeneratës së re të oficerëve që do të shërbejnë në Forcat e Armatosura të RSH-së. I diplomuar për shkenca kompjuterike, pritet që njohuritë e fituara në këtë institucion prestigjioz t’i zbatojë në vendin e tij.
Ai u pranua në Akademinë Ushtarake të West Point më 29 qershor 2018, i pari pas më shumë se shtatë vitesh ndërprerje. Përveç se një arritje personale, diplomimi i kadetit shqiptar shënon edhe një arritje për kapacitetet e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, proces në të cilin SHBA kanë një rol të rëndësishëm si aleati strategjik i vendit tonë, për më tepër në 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënive diplomatike mes dy vendeve.