Vajza Sanjola Mahmutaj deklaroi në ILDKP hotelin luksoz që u sekuestrua nga SPAK vetëm 26 mijë. A rrezikon të procedohet deputeti i PD-së Kasem Mahmutajt për deklarim të rremë pasurie?
Në 22 shkurt 2022, Gjykata Speciale e Shkallës së Parë pranoi kërkesën e SPAK për të kaluar në pronësi të shtetit shqiptar të 25 pasurive të Gazmend Mahmutajt, i dënuar dy herë në Itali për shfrytëzim prostitucioni. Pasuritë e konsideruara si produkt i parave të pista nga gjykata, Gazmend Mahmutaj i kishte kaluar në emrin e të vëllait, Kasem Mahmutajt, që është edhe deputet i Partisë Demokratike, vajzës së deputetit, vëllait tjetër Behar Mahmutaj, si dhe dy kunatave të tij, Liri dhe Tatjana Mahmutaj.
Mes pasurive të konfiskuara përfshihet edhe hoteli me 4 yje, “ANTIPATREA HOTEL”, në Berat, i cili sipas SPAK dhe Gjykatës Speciale është produkt i parave nga burime jo të ligjshme.
Po si u ndërtua, kamuflua dhe sa u deklarua hoteli luksoz?
Sipas dosjes së konfiskimit, Sanjola Mahmutaj, e cila figuron si vajza e deputetit të PD-së, Kasem Mahmutajt, njëherësh mbesa e Gazmend Mahmutajt, në maj të vitit 2013, ka regjistruar në emrin e saj investimin e pasurisë, hotel me katër kate dhe katër yje, “ANTIPATREA HOTEL”, në lagjen “28 Nentori” në Berat.
Në dosje nuk ka një vlerë të hotelit. Megjithatë, pamje flasin për një investim me vlerë dhjetëra dhe ndoshta edhe qindra mijëra euro. Por, Report Tv ka zbuluar se këtë hotel, vajza e deputetit Mahmutaj e ka deklaruar në ILDKP, vetëm 26 mijë euro.
Jo vetëm kaq. SPAK ka konstatuar se e reja Sanjola Mahmutaj, para vitit 2013, nuk ka pasur të ardhura nga punësimi apo të ardhura të tjera të ligjshme, për të justifikuar këtë investim. Dhe ky konstatim është mbështetur edhe nga gjykata. Në vitin 2010, në emrin e Sanjola Mahmutajt rezultonte edhe një restorant fantazmë, pra asnjë deklaratë për aktivitet dhe fitime.
Sipas dosjes, Sanjola Mahmutaj, para vitit 2013, nuk rezulton që të jetë paguar për ndonjë punë. “Për shtetasen Mahmutaj, vërtetimi nga sigurimet shoqërore konfirmon vetëm derdhjen e kontributeve të sigurimit dhe jo se ka qenë e punësuar në ndonjë subjekt dhe pagën që ka marrë”, thuhet në vendim. Pra nga e papunë, befas Sanjola Mahmutaj u bë pronare hoteli në vitin 2013.
Nga dosja, del qartë se një pjesë të pasurive të krijuara me para të pista, Gazmend Mahmutajt, i ka kaluar në emrin e deputetit të PD-së, Kasem Mahmutajt, bashkëshortes së tij Liri Mahmutaj dhe vajzës së tyre Sanjola Mahmutaj.