Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, pas vendimeve të qeverisë, ka prezantuar sot një udhëzim të ri sa i takon dosjeve të mbetura stok në Gjykatën e Lartë. Në një deklaratë për mediat Manja tha se ky udhëzim nxirret për të lehtësuar këtë gjykatë nga disa dosje, të cilat kanë të bëjnë me rekurse kryesisht civile dhe administrative. Sipas ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, udhëzimi i miratuar kërkon nga administrata shtetërore por dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, të heqin dorë nga rekurset në disa çështje me natyrë civile që kanë të bëjnë me:
‘Sot në këshillin e Ministrave miratuam një udhëzim shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me përcaktimin e rregullave për heqjen dorë nga rekurset e depozituara në Gjykatën e Lartë dhe të pashqyrtuara nga Gjykata e Lartë, nga administrata shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave për disa çështje me natyrë civile dhe administrative. Kjo ka qëllim rritjen e efiçencës për të lehtësuar nga stoku i dosjeve që presin të shqyrtohen në Gjykatën e Lartë.
Ky udhëzim udhëzon gjithë administratën shtetërore por dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, të heqin dorë nga rekurset në disa çështje me natyrë civile që kanë të bëjnë me:
-Zgjidhje mosmarrëveshje pune, me njohje apo vërtetim vjetërsie në punë, apo në paditë me shpërblim dëmi. Gjithashtu të heqin dorë nga paditë e tjera ku shteti e ka humbur në dy shkallë gjykimi çështjen.
Do hiqet dorë dhe nga çështjet e tjera me natyrë administrative, që kanë ngelur pa objekt, apo padi që nuk garantojnë sukses në GJL, për shkak të qëndrimeve unifikuese që është mbajtur nga Gjykata e Lartë. Po ashtu do hiqet dorë nga çështje me natyrë administrative, për pavlefshmëri absolute të akteve administrative. Kushti i vetëm për heqjen dorë nga rekurset ka të bëjë me vlerën e disponimit të gjykatës.
Në cdo rast vlera e disponimit të gjykatës nuk duhet të jetë më tepër se sa 40 fishi i pagës minimale. Me këtë udhëzim GJL presim të lehtësihet ga 3800 dosje, ndërkohë për 1 mijë të tjera janë ende në proces verifikimi që në përputhjet me kriteret e reja të hiqet dorë nga rekurset. Pra nga një stok me rreth mbi 35 mijë dosje që janë sot në GJL e presin të gjykohen, ne e lehtësojmë Gjykatën e Lartë nga 3800 dosje, e 1 mijë të tjera janë në proces..’ tha ai