Këtë të diel, në hapësirën “Kam një mesazh për ty” tek “E diela shqiptare” në Tv Klan, është rrëfyer një histori sa e trishtë, aq edhe emocionuese. Protagoniste ishte një zonjë e quajtur Hekria, e cila pasi kishte zbuluar se ishte shtatzënë, ajo mohohet nga i ati i saj. Por edhe pse e ndodhur në një situatë të tillë kaq të vështirë, ajo ia doli të sillte në jetë djalin e saj të quajtur Rudin pavarësisht moshës së saj fare të re. Deri më sot, Rudini është fëmija i humbur që Hekria ka vite që e kërkon, por nënë e bir nuk janë larg, ai ndodhet vetëm në anën tjetër të studios. Rudini sot mban emrin Altin dhe është adoptuar nga një familje tjetër, megjithatë ai ka ardhur në studion e “E diela shqiptare” në Tv Klan për të takuar nënën e tij biologjike. Ai e dëgjon zërin e saj, por Hekria nuk është ende në dijeni që njeriu për të cilin i është djegur zemra prej vitesh, është gjendur.
Më herët, ai tregoi se dinte disa gjëra për prejardhjen e tij, emrin e lindjes, certifikatën, datëlindjen (17 Dhjetor 1974), por në mnëyrë të vagullt, edhe emrin e nënës biologjike. Rrethanat e ardhjes në jetë të Altinit, Hekria i ka sqaruar dhe në këtë pikë të rrëfimit, ajo shpjegon edhe vuajtjet me të cilat është përballur për ta rritur e vetme djalin e saj.
Rrëfimi i Hekries: Hekrie: Kur erdhi djali im në jetë, doktori nuk ishte. Ardit Gjebrea: Çfarë date ka qenë? Hekrie: Ka qenë data 14 dhjetor 1974. Ardit Gjebrea: Nuk ka qenë data 17? Hekrie: Jo, ka qenë 14 dhjetor 1974. Ardit Gjebrea: Po pse është regjistruar?
Hekrie: E linda djalin, doktori nuk ishte, pas një jave erdhi e më dha dorën “Hekrie të të rrojë vajza”, i thashë “kam bërë djalë”, tha “mos, m’i prishe regjistrat e gjendjes civile”, i thashë “po pse?”, tha “e kam shkruar emrin Rudina, jo Rudin, do shkoj t’i prish”. I thashë “doktor, meqë ti ia ke vënë emrin Rudina, mua më pëlqen, shko prishja a-në, lëre Rudin siç është emri”. Pas një jave, një jave e gjysmë mbeti emri i djalit Rudin. Pas një jave me një furgon të prishur ec e ndalo shkuam në Poshnje, djali ishte i vogël 3-javësh.
Ardit Gjebrea: Si ishte Rudini, llupës, pinte qumësht, e ushqeje,çfarë? Hekrie: I jepja të pinte fëmijës tim, pjesën tjetër e ruaja për fëmijët e tjerë që të siguroja të ardhura për djalin, për veshje dhe për vete dhe për ushqim. Ardit Gjebrea: Se familja nuk të ndihmonte? Hekrie: Jo, i jepja djalit tim, e peshoja sa ishte, sa do pinte dhe pjesën tjetër ia jepja 4-5 fëmijëve të tjerë. Ardit Gjebrea: Dhe kush të paguante për këtë? Hekrie: Shtëpia e fëmijës. Ardit Gjebrea: Për sa kohë zgjati kjo histori? Hekrie: 2 vjet. Ndërkohë, Hekria pati mundësinë të jetonte në Tiranë dhe të punonte. Rudinin, u detyrua ta linte në Shtëpinë e Fëmijës në Durrës dhe shkonte ta takonte çdo dy javë, pa lënë asnjë autorizim për birësim, me idenë që një ditë, do të bashkoheshin dhe jetonin të dy.