Nga Skënder Minxhozi
Ka një çoroditje totale termash ideologjike brenda PD së sotme të Sali Berishës, e cila lidhet me cilësimin dhe emërtimin e presidencës aktuale të Xho Bajden në Shtetet e Bashkuara. Shpallja non grata ka prodhuar një përrua të vërtetë psiqik në atë që Berisha thotë dhe bën ndaj qeverisësve të sotëm në Uashington. I ka hedhur në gjyq, i konsideron skllevër të padeklaruar të Xhorxh Soros, i konsideron rregullisht si e majtë ekstreme, tenton naivisht t’i poshtërojë nga larg duke ju thënë se ju ka keqpërdorur Edi Rama për qëllimet e tij politike në Shqipëri. Qershia mbi tortë: ju “kundërvë” Evi Kokalarin, një zonjë që s’dihet nga ka dalë dhe pse vetëquhet aktiviste republikane.
Një foto e dalë së fundi pas Kuvendit të 30 prillit, tregonte Berishën që rrethohej nga disa persona që konsideroheshin si të ftuar e aleatë ndërkombëtarë të tij. Ishte një foto që tregonte se në ç’pikë halli ka përfunduar një forcë politike që dikur ishte anëtare aktive e të djathtës evropiane dhe partnere (jo pa probleme) e amerikanëve.
Berisha foli të martën për vizitën e fundit zyrtares së lartë amerikane Donfried në Tiranë, duke përdorur termin përçmues “e majta amerikane”. Në fakt “e majta amerikane” është një temë që sapo ka hyrë për t’u bërë pjesë integrale në fjalorin, protokollin dhe axhendën e përditshme të PD-së së Doktorit. Gradualisht po shohim sesi tema e konfliktit personal që Sali Berisha ka me SHBA dhe administratën e saj aktuale, po hedh hijen e vet të rëndë mbi të gjithë sektorin e karrigeve ku ulet sot opozita shqiptare që pranoi në 30 prill për prijës të vetëm Berishën.
Nëse deri dje Bylykbashi, Këlliçi e Noka nuk bënin dot opozitë sepse Lulzim Basha ishte i dobët dhe i blerë nga Rama, le të shohim sot e tutje sesa do të kenë mundësi t’i kushtohen rrëzimit të këtij kryeministri, me atë kryetar partie të skeduar që po përgatiten të ulin në zyrën më të lartë të partisë. Më shumë sesa me të majtën shqiptare, zotërinjtë e mësipërm do të shohin e kuptojnë se do të përdoren për të luftuar pjesën më të madhe të kohës me të majtën amerikane të Blinken, Bajden e padyshim edhe Soros.
Nga një fabul dobësie e anemie në epokën e Bashës, PD po hyn tani në fabulën e re të antiamerikanizmit dhe keqpërdorimit për shkak të damkës së Berishës. Të një personi që lufton ditën me Uashingtonin nëpër gjyqe, e bën thirrje për të përzënë ambasadorin rus nga Tirana natën. Në pritje që të vijë e djathta e Evi Kokalarit, një akt të cilën vetëm kjo zonjë në Amerikë dhe aleati i saj Sali Berisha në Tiranë, kanë harruar se ka ndodhur tashmë në vitet 2016-2020 kur qeverisi Donald Trump. Dhe atëhere “e djathta amerikane” nuk pati asnjë grimë simpati e mbështetje më shumë për PD, sesa e majta e Bajden. Sesa komod është ndjerë Edi Rama në katër vitet e Trumpit, në rrafshin e marrdhënieve dypalëshe Shqipëri-SHBA, këtë e kanë dëshmuar krizat e Çadrës dhe djegies së mandateve, gjatë të cilave amerikanët u rreshtuan hapur me kreun aktual të qeverisë.
Syzet ideologjike që Berisha ka veshur nga halli që e ka zënë, mund të gënjejnë demokratët e Mamurrasit, por nuk të çojnë askund. Siç e tha me të drejtë një komentator politik, edhe sikur Bajram Curri të çohet nga varri e të bëhet President i SHBA, Sali Berisha nuk shkel më zyrtarisht në Uashington. E majta demokrate, e djathta republikane apo edhe Berni Sandersi fitoftë!