Opozita në mënyrë të vazhdueshme ka akuzuar mazhorancën për “kapje të institucioneve të pavarura”. Një nga institucionet e lakuara ka qënë edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Por gjatë raportimit të fundit të këtij institucioni në Komisionin e Ekonomisë, u vu re një qëndrim i pazakontë i deputetit të Partisë Demokratike, dikur kryetar i këtij Komisioni, Edmond Spaho, i cili vlerësoi punën e AMF dhe theksoi se institucioni ia ka dalë t’i qëndrojë larg ndërhyrjeve politike.
“Qëllimi ka qënë që të kemi një Autoritet në nivelin e Bankës së Shqipërisë, i distancuar nga politika dhe profesional. Pas pothuajse 20 vitesh ekzistencë, unë e them me bindje se është një nga institucionet më të mira që kemi në Shqipëri, edhe nga pikëpamja profesionale, edhe duke qëndruar larg nga politika, ruajtja e pavarësisë. Dhe është fat që bashkëpunoni me Fondin Monetar, Bankën Botërore dhe Bankën e Shqipërisë, sepse këtu institucione kanë mekanizma që ju ruajnë që statusin tuaj të mos ta deformoni siç ka ndodhur me shumë institucione të pavarura në Shqipëri,” theksoi ndër të tjera deputeti i Partisë Demokratike.