Marash Kumbulla po përjeton një ëndërr të madhe, një finale me Romën, në shtëpinë e tij, në “Air Albania” është diçka që nuk e kishte imagjinuar. Ylli kuqezi ka qenë në qendër të vëmendjes fill pasi Roma siguroi një biletë për në Tiranë, interesimi i mediave italiane ka qenë i madh për të kuptuar se si po e përjeton Kumbulla këtë finale. Roma gjithashtu shfrytëzojë në maksimum lidhjet e tij të fortë me tifozët shqiptarë duke i bërë thirrje që në finale të mbështesin Romën.
Këto janë detaje që në fund, kur projekton formacionin, nuk kanë shumë rëndësi për një trajner si Jose Mourinho, i cili sipas mediave italiane nuk pritet të ndryshojë në këtë finale, pritet të hedh në fushë lojtarët e tij të “besuar”, një formacion tip, me të cilin ka zhvilluar sfidat e mëdha.
Kumbulla është projektuar në stol nga tekniku portugez, të paktën deri më tani, pasi treshja e mbrojtjes pritet të formohet nga Mancini-Smalling dhe Ibanez. I vetmi dyshim për momentin ka të bëjë, me aktivizimin apo jo të Mkhitaryan, nëse sulmuesi nuk ia del në kohë, vendin e tij pritet ta marrë Zaniolo.
Luan apo jo në finalen e Conference League, Mourinho beson te Kumbulla, në konference për shtyp u shpreh i sigurt se Kumbulla do të vijojë të jetë te Roma me 100% pasi është një lojtar që e vlerëson shumë.