“Ikona të mrekullueshme dhe relike të shenjta të Ballkanit”, titullohet ekspozita e çelur ditët e fundit nga Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Tiranë në bashkëpunim me Qendrën Muzeore, Berat.
Në hapjen e ekspozitë ishte i pranishëm edhe ambasadori i Bullgarisë në vendin tonë, Momchil Raytchevski, drejtues të qeverisë vendore, gazetarë bullgarë, artdashës, qytetarë, etj.
Kjo ekspozitë paraqet disa periudha historike dhe vende si: periudha Post Bizantine, Mesjeta Bullgare, mali Atos, manastire bullgare si dhe relike të shenjta në vendet ballkanike.
Drejtori i Qendrës Kombëtare Muzeore në Berat, Agron Polovina tha për ATSH-në se “fotot e ekspozuara janë pjesë e fondit nga Arkivi i Qendrës për Studime Sllavo-Bizantine “Prof. Ivan Duicev” në Universitetin e Sofjes “Kliment Ohridski”, si dhe nga manastiret: Rila, Trojan dhe Bigorski”.
Sipas tij, çelja e ekspozitës ishte në kuadër të promovimit të marrëdhënieve, vlerave të kulturës dhe trashëgimisë ndërmjet dy vendeve tona.
Polovina shprehet se gjatë këtyre ditëve ekspozita është vizituar nga një numër i lartë turistësh.
“Të shumtë e në rritje ka qenë numri i turistëve, gazetarëve e delegacioneve nga Republika e Bullgarisë, të cilët kanë patur mundësinë të vizitonin Beratin, Muzeun e Ikonografisë Onufri, katedralen “Fjetja e shën Marisë” dhe koleksionin e muzeut ku ruhen edhe reliket e dy shenjtorëve Shën Gorazdi dhe Shën Angjëllari”, tha Polovina.
Ekspozita vjen si një projekt i Institutit Kulturor Shtetëror të Republikës së Bullgaris në bashkëpunim me fondacionin Helena dhe Dujçev ku në 24 panele prezantohen ikona, kisha e manastire si dhe relike të shenjta në vendet ballkanike të shoqëruar me një përshkrim të shkurtër për secilën imazh.