Arba Kokalari, deputete shqiptare për Suedinë në Parlamentin Evropian thotë se aplikimi i dy vendeve nordike (Suedi-Finlandë) për në NATO ka ardhur pas kërcënimeve nga Vladimir Putin.
“Ka kërcënuar verbalisht dhe ka dërguar dhe avionë ushtarakë që kanë kaluar në kufirin suedez. Ka qenë shumë agresiv”, u shpreh politikania.
Kokalari thotë se mënyra se si i trajton Rusia vendet fqinje, vë në pah se sa e rëndësishme është një NATO e fortë.
Përpara luftës në Ukrainë opinioni publik në Suedi, tregon Kokalari ishte i ndarë ku shumica ishte kundër hyrjes në NATO.
“Pas luftës opinioni është pro NATO-s dhe shumica e partive politike e mbështesin hyrjen në NATO. 6 nga 8 partitë politike në Suedi janë pro”, tha Kokalari.
Deputetja e Parlamentit Evropian shprehet e bindur se dy vendet do të anëtarësohen në NATO, pasi nga kjo aleanca ushtarake do të jetë më e fortë.
Por, nga ana tjetër Kokalari thotë se procesi mund të marrë shumë kohë.