Real Madrid ka fituar La Liga-n për herën e 35 në historinë e klubit. Një sukses shumë i rëndësishëm dhe i arritur me gjakftohtësi dhe shumë punë.
Pas fitores kundër Espanyol-it, që i ka dhuruar matematikisht titullin madrilenëve, Thibaut Courtois ka përfituar nga momenti për t’i dhënë një mesazh rivalëve të Barcelona-s.
Siç ka bërë të ditur Marca, portieri madrilen ka dashur të thumbojë katalanasit, por jo vetëm. “Pas Clasico-s, disa lojtarë të Barcelona-s kanë festuar sikur të kishin fituar kampionatin”, ka thënë Courtois.
“Megjithatë, ne kemi ruajtur qetësinë për të mundur Celta-n në një ndeshje të vështirë dhe Getafe-n më pas, një tjetër betejë e vështirë.
“Çelësi ka qenë fitorja kundër Sevilla-s, kur kemi arritur ta përmbysim rezultatin teksa të gjithë na jepnin për të mbaruar”, ka vazhduar belgu.
“Me ndeshjen e Champions-it që po afron e dinim se duhej ta fitonim titullin tani, e dinim dhe donim ta mbyllnim këtë çështje: gjithçka ishte e përgatitur, duke përfshirë miqtë, familjet dhe tifozët.
“E dinim se nuk mund të humbnim kundër Espanyol-it. Po jetojmë një sezon të madh dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu”, ka përfunduar Courtois.