Për tre ditë, Aeroporti Kombëtar i Tiranës ka mirëpritur rreth 55 mijë pasagjerë. Nga data 24 deri në 26 maj janë kryer 465 fluturime. Këtë bën me dije TIA duke e cilësuar 25 majin si ditë rekord me 168 fluturime. Më 25 maj ishte finalja e Conference League në Tiranë, ku u përballën Feyenoordi me Romën dhe kjo e fundit mori fitoren. Për të parë ndeshjen erdhën mijëra tifozë në vendin tonë duke sjellë numër kaq të madh fluturimesh në Aeroportin e Rinasit.
“Përgëzoj stafin tonë për punën e shkëlqyer. Falenderime të përzemërta të gjithëve për përkushtimin, dedikimin dhe për shërbimin miqësor ndaj pasagjerëve tanë”, tha Drejtori Ekzekutiv i Aeroportit, Constantin von Alvensleben.
“Ky mision do të kishte qenë i pamundur, pa partnerët tanë. Mirënjohje Albcontrol, Autoritetit të Aviacionit Civil dhe Policisë së Shtetit. Bashkëpunimi ka qenë i pandërprerë dhe efikas. Ka qenë një javë e pabesueshme dhe jemi shumë të lumtur që e kaluam sfidën e Ligës së Konferencave të UEFA-s me një sukses të madh”, shtoi Constantin von Alvensleben.
Ndeshja e Conference League në Tiranë la pa gjumë Romën dhe Roterdamin. Pas fitores, në Romë, tifozët pritën deri në 5 të mëngjesit që të mbërrinte ekipi dhe të festonin me ta ndërsa tifozët holandezë ishin të revoltuar dhe shkaktuan trazira në Roterdam. Policia ndërhyri menjëherë dhe janë arrestuar 72 persona. Ndeshja doli me rezultatin 1-0 për Romën, ndaj tifozët dolën në rrugët e Italisë për të fituar një trofe që kishte munguar për 14 vite.
Finalja e Conference League u transmetua në 155 vende dhe u ndoq nga rreth 400 milionë njerëz. Tirana prit 60 delegacione zyrtare dhe përfaqësues e të 25 federatave të ndryshme por edhe drejtuesit e lartë të UEFA.