Momenti mbërriti. Këtë të mërkurë Tirana është kryeqyteti europian i futbollit. Në ‘Air Albania’ Roma do luajë në orën 21:00 kundër Feyenoord finalen e Conference League, një kompeticion i krijuar rishtazi nga UEFA, por që kaloi pritshmëritë, duke patur një impakt shumë të madh në aspektin sportiv. Pjesmarrja e shumë figurave të njohura ndërkombëtare të futbollit në Tiranë, e dëshmon këtë. Presidenti i UEFA-s Ceferin prej dy ditësh ndodhet në vendin tonë, ndërsa Francesco Totti, De Rossi, Antonello Venditti, Carlo Verdone, Blanco dhe Marco Conidi kanë konfirmuar ardhjen në ‘Air Albania’, ndërsa flitet se edhe trajneri Antonio Conte nuk do mungojë. Përjashtim nuk bën as ish-presidentja e Romës Rossella Sensi, e ftuar nga vëllezërit Friedkins.
Për shqiptarët ,kjo finale, do jetë kënaqësi e dyfishtë pasi pjesë e Romës është shqiptari Marash Kumbulla, por pa harruar edhe trajnerin Jose Mourinho, ose siç njihet ndryshe ‘special 1’. Nëse ia del kjo do jetë hera e parë që Roma fiton një trofe europian, ndërsa në prag të finales Mourinho u ndal gjatë edhe te Shqipëria:
“Nëse fiton Roma, një shqiptar e çon kupën dhe kjo mendoj se ka një kuptim. Kemi ardhur këtu dhe e kemi kuptuar shumë shpejt që është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë, që e meritojnë si vend për rritjen e dyte. Në Shqipëri është hera e parë që vij,”-tha Mourinho.
Trajneri i Feynoord Arne Slot kërkoi ta kalonte presionin te italianët duke thënë se kanë lojtarë më të shtrenjtë. Ai saktësoi se Feyenoord do luajë me topin e gjatë, ndërsa e përshkroi veten si fitues. Ndryshe nga Roma, Feyenoord kreu të martën një seancë stërvitore në stadiumin ‘Air Albania’.
Roma dhe Feyenoord janë përballur vetëm një herë në kupat e Europës, në Europa League ku italianët dolën fitimtar dhe kaluan në 1/8 e kompeticionit. Holandezët kanë më shumë histori pasi në një rast kanë fituar Champions League dhe një tjetër Europa League.
Sipas mediave italiane, skuadra verdhekuqe ka arkëtuar plot 18 milionë deri në këtë fazë duke llogaritur të gjitha bonuset. Rregullorja e UEFA-s thotë se skuadra që ngre trofeun do të arkëtojë edhe 2 milionë më shumë çka do të thotë se mund ta finalizojnë sezonin me një shumë të konsiderueshme në llogari.