Nga Preç Zogaj

Dy fitoret e radhës që ka reklamuar këto ditë Grupi i Rithemelimi të PD-së janë “bashkimi ” dhe “fundi i kryetarokracisë”. Të dyja u vulosen në Kuvendin e datës 30 prill.

Të dyja retorike, të dyja të kundërta me të vërtetën faktike, të denja për t’u futur në inventarin e “Gjuhëresë” (New Speak), një fjalë e krijuar nga shkrimtari anglez Xhorxh Oruell për të përcaktuar të folurën, tjetër për tjetër, ku emërtimi tregon krejt të kundërtën e reales.

“Fundi i kryetarokracisë” po celebrohet me kalimin nga zgjedhjet me katër kandidatë në verën e vitit të shkuar te zgjedhjet me një kandidat të vetëm. “Bashkimit” i përgjigjet ndarja në dy dhe tre pjesë, më e madhja në historinë e PD-së.

Asgjë për t’u çuditur . Kemi shpjeguar disa herë se Berisha e mendon bashkimin si asimilim, si tretje të palës tjetër në eskortën e tij, si kthim të penduarish e plangprishësish në vathën e tij, a thua se ka kapur qiellin me dorë, në injorim të plotë të arsyeve që e kanë krijuar palën tjetër. Arsye të cilat kanë epërsi ndaj atyre të zotit Berisha.

Në fakt, në funksion të bashkimit, krahasimi i arsyeve që kanë krijuar dy e tre palë në PD do të sugjeronte që Berisha të qëndronte ose të kthehej në mbështetje të grupit që ka si devizë proamerikanizmin dhe jo anasjelltas. Duke gjetur ai një kënd që nuk do ta përfshinte partinë dhe elektoratin opozitar në qëndrimet e tij mospajtuese me shpalljen non gratta nga SHBA.Ka bërë të kundërtën. Berisha e ka përdorur bashkimin thjesht si slogan “kush të dojë le të vijë”, duke e ditur mirë se arsyet e tij dhe të palës tjetër nuk shartohen, se bashkimi në kuptimin e unifikimit të grupeve rreth tij është i pamundur.

Synimi i tij i parë dhe i fundit ka qenë të marrë sa të jetë e mundur nga PD, pjesën e tij domethënë, që ta ketë si mburojë politike të dyfishtë: përballë SHBA dhe drejtësisë shqiptare. Kaq. Këtu edhe shurdhëria e tij ndaj çdo propozimi për bashkim nga pala tjetër. Këtu nxitimi i i tij, që e ka shtrirë ndarjen edhe përtej vijes që ka të bëjë me raportet me SHBA dhe Perëndimin.

Dëgjova një deputet të qarkut të Dibrës që duke shpjeguar mospjesëmarrjen e tij në Kuvendin e Berishës, po thoshte se demokratët e bazës që nuk kishin mbështetur Rithemelimin, të zgjedhur në seksione e forume mjaft prej tyre, ishin injoruar, anashkaluar e shkarkuar si të mos kishin qenë nga zgjedhjet mbivendosëse të Rithemelimit.

Kjo duket se ka ndodhur në shumë degë e nëndegë. Nga një këndvështrim, mund të thuhet se ata të rithemelimit nuk i kanë lenë jashtë me të keq të zgjedhurit dhe mbështetësit e palës tjetër. Sa kohë nuk kanë pasur në mendje një bashkim në kuptimin e fuzionit të qëndrimeve nuk kishin pse ti thërrisnin. Kush të donte të shkonte vetë.

Ajo çfarë mund të jetë e re për t’u thënë për bashkimin e dështuar që reklamohet si i suksesshëm, është përdorimi libresk, në një kontekst krejt të gabuar teorik dhe praktik të nocioneve shumicë- pakicë. “Pakica t’i nënshtrohet shumicës”. Ky është një parim i drejtë, madje elementar (pavarësisht tingëllimit të keq që ka fjala nënshtrim), kur partia është e bashkuar dhe funksionon si e tillë. Për çdo çështje që votohet ka zakonisht një shumicë dhe një pakicë. Në këtë rast pakica pranon vendimin e shumicës dhe shkohet përpara.

Ndryshe bëhet si këmbët e dhisë, siç thotë populli. Por “pakica ti nënshtrohet shumicës” nuk ka kuptim kur bëhet fjalë për palë të ndara, siç është rasti në PD, ku secila palë ka bërë Kuvendin e vet, ka të zgjedhurit e vet, ka votuesit e vet tashmë nga e njëjta familje. Këtu ku kanë ardhur, palët duhet të gjenin gjuhën dhe mekanizmat e bashkimit në nivel politik, në një forum gjithëpërfshirës e të gjithëpranuar. Pas kësaj i vjen radha ndarjes me votë pakicë-shumicë brenda së bashkuarës.

“Fitorja” tjetër, ajo e “fundit të kryetarokracisë” me një kryetar absolut, është një sarkazëm. Berisha e ka mirë kur thotë se nuk simuloj garë me kandidatë të caktuar sa për formë. Por nuk është ky problemi. Pse nuk ka kandidatë? Pse PD e Berishës apo pjesa që mblidhet rreth tij nuk nxjerr dot prej dekadash një kandidat të vërtetë që të rivalizojë me të? Pse PD e komanduar prej tij nuk del dot jashtë tij si person apo jashtë rrethit të delfinëve të tij? Këto pyetje janë retorike. Ato thjesht tregojnë vdekjen e qarkullimi real të elitave dhe vdekjen e garës reale në PD-në berishiste. Sepse e dinë të gjithë: zgjedhjeve nuk u mjafton “kutia-kutia”, siç trumbetohet andej këndej me histeri nga berishistët. Kuti ka pasur edhe në diktaturë, ka sot në Kinë, në Rusi.

Edhe në Shqipëri ku zgjedhjet vidhen e manipulohen prej njëzet e tetë vitesh. Përkufizimi i zgjedhjeve demokratike është se ato duhet të jenë të lira, të drejta e të barabarta. Po nuk funksionoi njëra prej këtyre “tri sferave” zgjedhjet invalidohen, nuk janë të lira. Tani ua lë lexuesve, demokratëve sidomos, ta mendojnë vetë sa të barabarta do të ishin zgjedhjet mes Sali Berishës dhe fjala vjen Fatbardh Kadillit, apo Edvin Kullurit. Duke përdorur shprehjen e famshme sarkastike të Xhorxh Oruell, unë them se Sali Berisha është më i barabartë se të barabartët e tij!

Dhe gjithë duke qëndruar të ky shkrimtar i utopisë së keqe (distopisë), do të uroja t’u kursehen demokratëve dhe shqiptarëve oksimoronet e Gjuhëresë së tij të tipit “lufta është paqe”, “Liria është skllavëri”,”Injoranca është forcë”, “ bashkimi është përçarje”, “Antiamerkanizimi është amerikanizëm”.